Të paktën 90 persona humbën jetën dhe 12 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi përmbytjet e rënda përfshinë Vietnamin qendror këtë javë, sipas departamentit të menaxhimit të fatkeqësive, transmeton Anadolu.
Përmbytjet përfshinë Vietnamin qendror dhe Malësitë Qendrore, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe mbi 341 milionë dollarë humbje ekonomike, raportoi sot “VnExpress”, duke cituar Departamentin e Menaxhimit të Argjinaturave dhe Parandalimit të Fatkeqësive Natyrore.
Provinca Dak Lak ka shënuar numrin më të madh të viktimave, me 63 të vdekur. Provinca Khanh Hoa, ku ndodhet qyteti bregdetar Nha Trang, ka raportuar 14 viktima. Lam Dong ka konfirmuar pesë, Gia Lai tre, Hue dhe Da Nang nga dy secila, dhe Quang Tri një.
Përmbytjet kanë dëmtuar 1.154 shtëpi dhe kanë penguar transportin në gjithë rajonin, duke lënë të pakalueshme segmente të rrugëve kryesore dhe rrugëve rurale për shkak të ujit të lartë dhe rrëshqitjeve të dheut.
Ndërprerjet e energjisë kanë prekur rreth 1,2 milion familje në kulmin e fatkeqësisë. Deri të dielën, 257.000 shtëpi kishin ende mungesë të energjisë elektrike, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të sinjalit të telefonisë celulare dhe internetit.
Kryeministri vietnamez Pham Minh Chinh ka bërë thirrje për veprime më të forta për të trajtuar përmbytjet e rënda dhe fatkeqësitë e tjera natyrore që kanë prekur provincat qendrore, raportoi “Vietnam News”.
Qeveria vietnameze ka ndarë ndihmë emergjente me vlerë 700 miliardë dongë vietnamezë (26,6 milionë dollarë) për të mbështetur përpjekjet e rimëkëmbjes në rajonet më të prekura.
Autoritetet thanë se personeli ushtarak dhe policor është dislokuar për t’iu përgjigjur fatkeqësisë.
Ata thanë gjithashtu se 3,24 milionë krerë bagëti dhe shpendë kanë ngordhur ose janë marrë nga vërshimet.

