RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Të rinjtë palestinezë qëllohen për ndezjen e zjarrit për t’u ngrohur

te-rinjte-palestineze-qellohen-per-ndezjen-e-zjarrit-per-t’u-ngrohur

Agjencia e lajmeve “Associated Press” ka analizuar videon dhe ka intervistuar dy të plagosurit. Ata kanë rrëfyer se ushtarët izraelitë kanë shtënë në drejtim të tyre kur ata nuk përbënin kërcënim. Pas analizimit të videos, zëdhënësi i ushtrisë izraelite ka thënë se njëri nga ushtarët kishte raportuar se njëri palestinez – i cili duket se ishte përkulur para një objekti – ishte duke ndezur një koktej molotovi në momentin kur ishte qëlluar.

Pamjet nga kamerat e sigurisë në një fshat në Bregun Perëndimorë shfaqin një të ri palestinez duke qëndruar në udhëkryq para se të sulmohej me armë dhe të binte përtokë.
Dy të tjerë nguten për t’i ndihmuar, por edhe ata qëllohen, teksa 17-vjeçari vdes në vendin e ngjarjes, pak minuta para se ushtria izraelite të rrethonte vendin me automjete.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” ka analizuar videon dhe ka intervistuar dy të plagosurit. Ata kanë rrëfyer se ushtarët izraelitë kanë shtënë në drejtim të tyre kur ata nuk përbënin kërcënim. Njëri nga të plagosurit palestinezë është qëlluar për herë të dytë kur tentoi të ngrihej në këmbë dhe të ikte.

Vrasja e të riut palestinez në fshatin Beit Rima gjatë javës së kaluar është pjesë e serisë së incidenteve në të cilat ushtarët kanë shtënë në drejtim të palestinezëve pa pasur provokim.

Palestinezët thonë se ky trend i sulmeve është përkeqësuar në Bregun Perëndimor kur Izraeli nisi luftën me grupin militant të Hamasit para tre muajve.

Ushtria izraelite ka njoftuar se trupat kanë hyrë në fshatin Beit Rima mes së enjtes dhe së premtes si pjesë e “operacionit kundër terrorizmit”.

Është arsyetuar se ushtarët kanë shtënë në drejtim të të dyshuarve, të cilët kishin hedhur mjete shpërthyese.

Mirëpo në videon të cilën e ka siguruar “AP”-ja, nuk shihen palestinezët duke hedhur mjete shpërthyese në drejtim të ushtarëve izraelitë.

Pas analizimit të videos, zëdhënësi i ushtrisë izraelite ka thënë se njëri nga ushtarët kishte raportuar se njëri palestinez – i cili duket se ishte përkulur para një objekti – ishte duke ndezur një koktej molotovi në momentin kur ishte qëlluar.

Mirëpo në video shihet se plumbi i parë nuk e ka qëlluar palestinezin e përkulur, por Nader Rimawin, i cili u ka mbijetuar plagëve.

Naderi ka thënë se 17-vjeçari Osaid Rimawi ishte përkulur për të marrë disa letra dhe po i ndizte për t’u ngrohur. Edhe pamjet e videove të tjera mbështesin pretendimin e Naderit se Osaidi po ndizte zjarrin.

“Bashkë me shokët po qëndronim në rrugë kur dikush tha se ushtria izraelite po vinte. Qëndruam aty dhe nuk dinim se çfarë të bënim. Nuk kishim asgjë në duar. Papritur snajperi qëlloi vëllain tim dhe e plagosi. Unë vrapova drejt tij për t’i ndihmuar, por edhe mua më qëlloi. Pastaj ishte personi i tretë, por i cili u vra nga snajperi”, ka thënë Naderi.

Rrëfimi i të plagosurve

Në intervistat me AP-në të plagosurit kanë mohuar se po vendonin mjete shpërthyese dhe se nuk provokuan ushtarët izraelitë para se ata të sulmonin. Dy nga gjashtë vëllezërit Rimawi ishin në qendër të fshatit kur u përhap fjala se ushtarët izraelitë kishin hyrë në fshat. Ata kanë thënë se e dinin për prezencën e ushtrisë, por në qendër të fshatit nuk kishin shkuar për t’u konfrontuar me izraelitët.

Në rrugë nuk ishin më shumë se dhjetë palestinezë. Ata kanë ikur në momentin kur plumbi i parë qëlloi vëllain e Mohammedit, Naderin. Ai u plagos në këmbën e majtë.

Në video shihet Mohammedi që vrapon për ta ndihmuar para se edhe ai të qëllohej.

Osaidi që afrohet për t’i ndihmuar vëllezërit qëllohet. Më vonë ka vdekur nga plagët.

Vëllai i tij, Islam Rimawi, ka thënë se në xhep kishte shkrepësen, disa centë dhe një pako me cigare.

Mohammedi arriti që zvarrë të largohej, por dy shokët e tij mbetën në vendin e ngjarjes. Naderi tentoi të ngrihej, por u rrëzua përsëri përtokë.

Nga krevati i spitalit, Naderi ka treguar se u rrëzua pasi u qëllua në këmbën e djathtë. Përveç ushtarëve izraelitë që kishin armë, asnjë armë tjetër nuk shihet në videon e analizuar nga “Associated Press”. As snajperi që i qëlloi nuk shihet në këtë video.

Dy minuta pas të shtënave në vendin e ngjarjes vijnë katër automjete të blinduara të ushtrisë izraelite. Nga këto automjete dalin dhjetëra ushtarë izraelitë.

Të gjithë mblidhen përreth Mohammedit. Një ushtar prek Osaidin me këmbë.

Brenda katër minutave, ushtarët izraelitë largohen nga palestinezët e plagosur, duke injoruar pakot e letrës, të cilat palestinezët po i kallnin për t’u ngrohur.

Pak minuta më vonë, Osaidi, nxënës i shkollës së mesme dhe që po merrte zanatin e berberit – u konfirmua i vdekur në spital.

Mohimi i rasteve

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite ka thënë se kishte raste të tjera kur palestinezët përdorën molotovët ndaj forcave në Beit Rama, por nuk e dinte se kur kanë ndodhur këto raste.

I riu i plagosur ka thënë se të shtënat e saj nate ishin rasti i vetëm që kishte ndodhur në Beit Rima.

Ushtria izraelite nuk është përgjigjur në pyetjen nëse ushtarët kanë shkelur rregullat ushtarake dhe nuk kanë treguar nëse ka nisur ndonjë hetim zyrtar për këtë ngjarje.

Grupi izraelit për të drejtat e njeriut “B’Tselem” ka deklaruar se edhe kur të shtënat incizohen me kamera dhe hetohen nga ushtria, ka shumë pak vendime ndaj ushtarëve që shkelin rregullat.

“Rastet e tilla ndodhin shumë shpesh, por askush nuk dëgjon për to”, thotë Dror Sadot, zëdhënëse e grupit. “Ushtria do të thotë se ka nisur hetimet. Dhe këto hetime do të zgjasin me vite, ndoshta mediat nuk do të raportojnë. Dhe pastaj zhduken si raste”.

Në reagimin ndaj grupit për të drejtat e njeriut, zëdhënësi i ushtrisë ka deklaruar se çdo hetim kryhet në bazë të hetanave. “Në rastet e hetuara, merren masat, përfshirë edhe dënimin e ushtarëve”, ka thënë ushtria izraelite.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë paraqitur më parë raste në të cilat ushtarët hapën zjarr, ani pse nuk ishin rrezikuar. Kjo ishte shkelje e dukshme e rregullave të angazhimit të ushtrisë. Në shumicën e rasteve, viktimat ishin palestinezë, por edhe izraelitë janë vrarë nga të shtënat gjatë luftës.

Muajin e kaluar, tri pengje izraelite që kishin shpëtuar nga militantët e Hamasit në Gaza valëvitën flamuj të bardhë dhe bërtisnin për ndihmë në hebraisht përpara se të qëlloheshin nga ushtarët.

Sadot ka thënë se organizata e saj ka parë nivel të paprecedentë dhune nga ushtarët dhe kolonët në Bregun Perëndimor që nga shpërthimi i luftës. Bregu Perëndimor po përjeton një nga fazat më vdekjeprurëse të regjistruara, sipas vëzhguesve të Kombeve të Bashkuara.

Banori i Beit Rima, Ahmed Rimawi, dy vëllezërit e të cilit u plagosën më 5 janar, beson se ushtarët janë bërë më agresivë që nga fillimi i luftës.

Në të kaluarën, ata fillimisht gjuanin granata trullosëse për të shpërndarë turmat në fshat. Tani, ka thënë ai, “ata hapin zjarr direkt”.

Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë kanë njoftuar se 340 palestinezë janë vrarë në tre muajt e tensionuar qëkur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin jugor dhe vranë rreth 1 mijë e 200 persona, kryesisht civilë.

Sulmi i Hamasit e shtyu Izraelin të zhvillonte një fushatë të ashpër ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që ka vrarë më shumë se 23 mijë palestinezë – dhe të forcojë kontrollin në Bregun Perëndimor përmes bastisjeve pothuajse çdo natë, shpesh vdekjeprurëse. Izraeli ka insistuar se bastisjet ka për qëllim Hamasin dhe grupet e tjera militante.

Mohamedi dhe Nader po shërohen nga plagët e tyre. Të dy zakonisht punojnë në një fabrikë në një fshat palestinez, duke paketuar sallata të përgatitura për treg. Ata kanë thënë se nuk do të punojnë më derisa të jenë në gjendje të ecin. Nader iu nënshtrua një operacioni të dielën për lëndime në kofshë.

Mohammedi është liruar nga spitali, por nuk është në gjendje të ushtrojë peshë në këmbën e tij të djathtë. Ai çalon rreth shtëpisë së vogël të zbukuruar të familjes në Beit Rima – fshat me rreth 4,000 banorë në veri të qytetit të Ramallah – me ndihmën e shkopit metalik.

Në rrethrrotullimin e fshatit, muret janë të suvatuara me portretet e burrave të vrarë nga forcat izraelite. Në radhët e tyre tani shfaqet fotografia e Osaidit, që ka sytë kthyer drejt vendit ku u qëllua nga ushtria izraelite. /koha

Related posts

Johnson përgëzon presidentin Erdoğan për lidershipin e domosdoshëm global të Turqisë

admin

Erdoğan: Turqia nuk e ka problemin e krizës energjetike dhe ushqimore – VIDEO

admin

Policia mbyll një pompë të benzinës në veri të Mitrovicës

rezart morina