Debati për hartën e re administrative, po kthehet në një test besnikërie ndaj Kryeministrit
Dalja publike e deputetit socialist Vullnet Sinaj kundër bashkimit të Bashkisë së Selenicës me Bashkinë e Vlorës, mund të duket në pamje të parë, si një debat i zakonshëm lokal.
Në të vërtetë, ajo ka shumë më tepër peshë politike sesa duket. Sinaj nuk reagoi menjëherë. Për disa ditë ai zgjodhi heshtjen. Vetëm pas tubimit publik të banorëve të Selenicës dhe apelit të tyre të fortë, drejtuar pikërisht atij si deputet i zonës, ai vendosi të dalë hapur kundër një prej skenarëve të reformës administrativo-territoriale.
Më herët, një qëndrim të ngjashëm kishte mbajtur edhe Erion Braçe. Në të njëjtën kohë, në korridoret e shumicës qarkullon bindja se kundërshtarët e kësaj nisme janë më të shumtë.
Ka shumë të ngjarë që edhe ish-Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, të mos jetë e bindur për dobinë e reformës, ndonëse ajo vazhdon të flasë me kujdes, duke përdorur formula të mjegullta, fraza të përgjithshme dhe sofizma politike duke lënë të kuptohet gjithçka, por pa pohuar zyrtarisht asgjë.
Nëse këto zëra janë të vërtetë, atëherë numri i deputetëve kritikë mund të arrijë në dhjetë ose edhe më shumë. Pyetja është nëse ata do të dalin publikisht kundër projektit. Por ndoshta, kjo është pikërisht ajo që pret Edi Rama.
Zyrtarisht, reforma po paraqitet si një domosdoshmëri e lidhur me procesin e integrimit evropian, me rritjen e efikasitetit administrativ dhe me përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Por politika shqiptare na ka mësuar se shpeshherë pas argumenteve teknike fshihen llogari shumë më pragmatike.
Në këtë rast, reforma territoriale duket se po shndërrohet në një instrument për të matur ekuilibrat e brendshëm të Partisë Socialiste.
Ajo po funksionon si një “karrem” i hedhur me kujdes, për të zbuluar se kush vazhdon t’i qëndrojë pranë kryeministrit dhe kush po mendon të distancohet prej tij.
Prej javësh, Rama po përballet me një klimë krejtësisht të ndryshme nga ajo e viteve të kaluara. Protestat janë shtuar, pakënaqësia është bërë më e dukshme dhe pasiguria ka filluar të depërtojë edhe në radhët e shumicës.
Madje prej kohësh, flitet se ai mund të jetë duke shqyrtuar edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, sipas modelit të përdorur nga Aleksandër Vuçiç në Serbi. Por, përpara se të hedhë një hap të tillë, kryeministri duhet të dijë se kë ka ende në krah dhe kë ka përballë.
Pikërisht për këtë arsye, debatet mbi reformën territorial përfaqësojnë shumë më tepër sesa thjesht çështje dhe kufij administrativë. Në thelb, ai është një përpjekje për të vizatuar kufijtë e rinj të pushtetit brenda Partisë Socialiste.
Dhe nëse kjo teori është e saktë, atëherë Vullnet Sinaj nuk do të mbetet rasti i vetëm. Ai mund të jetë vetëm emri i parë i një liste shumë më të gjatë. tesheshi

