Numri i të vdekurve nga gjenocidi i Izraelit në Rripin e Gazës është rritur në të paktën 73.470, pasi tetë palestinezë të tjerë u vranë gjatë 24 orëve të fundit, transmeton Anadolu.
Në raportin e përditshëm statistikor të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza thuhet se spitalet pranuan trupat e tetë viktimave, ndërsa 31 persona u plagosën gjatë së njëjtës periudhë.
Ministria tha se disa viktima vazhdojnë të mbeten nën rrënoja dhe në rrugë, ndërsa ekipet e ambulancës dhe të mbrojtjes civile nuk janë në gjendje t’i arrijnë.
Ajo nuk dha hollësi mbi rrethanat në të cilat palestinezët u vranë ose u plagosën, ndërsa ushtria izraelite vazhdon të shkelë marrëveshjen e armëpushimit që është në fuqi që nga 10 tetori i vitit 2025.
Ministria tha se shkeljet izraelite vetëm që nga hyrja në fuqi e armëpushimit kanë vrarë të paktën 1.334 palestinezë dhe kanë plagosur 4.429 të tjerë.
Ajo shtoi se numri i përgjithshëm i viktimave nga lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza që nga 8 tetori i vitit 2023 ka arritur në 73.470 të vrarë dhe 174.540 të plagosur.
Krahas viktimave, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, Izraeli ka shkatërruar rreth 90 për qind të infrastrukturës civile të Rripit të Gazës, ndërsa OKB-ja ka vlerësuar se kostot e rindërtimit arrijnë në rreth 70 miliardë dollarë.

