RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Tetë pretendues për kadetë përjashtohen pasi dolën pozitivë në testet për droga

tete-pretendues-per-kadete-perjashtohen-pasi-dolen-pozitive-ne-testet-per-droga

Testimet e fundit të pretenduesve për kadetë në Policinë e Kosovës zbuluan se së paku 13 nga afro 1.000 të testuarit, rezultuan pozitivë për përdorimin e drogave.

Së paku tetë prej tyre u përjashtuan nga procesi i rekrutimit.

Në shqyrtimin e rasteve të tyre tashmë janë të përfshira edhe gjykatat.

Për çka u testuan policët?

Për t’u pranuar në Policinë e Kosovës, kandidatët për kadetë duhet t’u nënshtrohen disa kontrolleve, përfshirë testet për disa lloje të drogave, ato mjekësore, psikologjike e të tjera.

Testet për droga deri në fund të vitit të kaluar janë kryer në institucione private, por pas një marrëveshjeje mirëkuptimi mes Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, kanë kaluar në institucionet shtetërore.

Drejtori i Klinikës së Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shemsi Veseli, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se disa kandidatë të testuar aty, kanë dalë pozitivë në testet për amfetaminë dhe disa lloje të tjera të substancave narkotike.

“Në grupin e parë prej 426 personash, në muajin janar, tetë kanë rezultuar pozitivë, kurse sa i takon grupit në muajin mars, prej 519 personash, pozitivë kanë rezultuar pesë”, thotë Veseli.

“Duhet përmendur se në grupin e parë kanë dalë kryesisht pozitivë në amfetaminë, ndërsa në grupin e dytë ka qenë një laramani substancash”, shton ai.

Në Policinë e Kosovës thonë se për tetë kandidatët e parë që kanë dalë pozitivë në substanca narkotike, është marrë tashmë vendimi për përjashtimin e tyre nga procesi i rekrutimit.

Për pesë të tjerët pritet të merret vendimi i njëjtë.

“Kandidatët që nuk i plotësojnë standardet e kërkuara në një nga fushat ku kryhen kontrollet mjekësore/psikologjike, nuk mund t’i vazhdojnë më tej procedurat për t’u bërë kadetë të Policisë së Kosovës”, thuhet në një deklaratë të këtij institucioni dhënë Radios Evropa e Lirë.

Policia e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse në të kaluarën, kur testet janë kryer në institucione private, ka pasur raste pozitive për përdorim drogash./REL

Related posts

Presidentja priti në takim Bujar Osmanin

rezart morina

Pas bisedës së Kurtit me Chollet, reagon ambasadori Hovenier

rezart morina

Shpyllëzimi i Amazonës bie për pothuajse 34 për qind

admin