Detaje të reja ngrejnë pikëpyetje mbi vendimin që lejoi nisjen e tragetit me 279 persona nga Kyrenia në Qipro, pavarësisht kushteve të këqija atmosferike.
Pak minuta pas largimit nga porti, mjeti nisi të marrë ujë dhe u përmbys.
Sipas deklaratave të kryeministrit të administratës turko-qipriote në veri të Qipros, Unal Ustel, autoriteti përgjegjës për portet fillimisht nuk kishte lejuar nisjen e katamaranit, pikërisht për shkak të kushteve të pafavorshme të motit. Por situata ndryshoi vetëm rreth një orë më vonë.
“Filo Jet” mori lejen për të lundruar drejt Tasuxhusë, në provincën e Mersinit, në Turqi.
Pak kohë pas daljes nga porti, kur ndodhej rreth katër milje detare larg bregut, katamarani nisi të marrë ujë.
Vendimi për të lejuar lundrimin, vetëm një orë pasi ishte ndaluar për shkak të motit, ka shkaktuar reagime dhe pikëpyetje të shumta në veri të Qipros.
Po ashtu, autoritetet duhet të sqarojnë se kush e firmosi përfundimisht lejen e nisjes, në një kohë kur kushtet atmosferike kishin qenë arsyeja fillestare për ndalimin e katamaranit.
“Departamenti i Porteve”, që ka përgjegjësinë për kontrollet përkatëse, është nën varësinë e ministrit përgjegjës për Transportin, Erhan Arikli.
Tashmë vëmendja është përqendruar pikërisht te zinxhiri i vendimmarrjes që çoi në largimin e “Filo Jet” nga porti.
Nëse mjeti ishte konsideruar fillimisht i papërshtatshëm për lundrim për shkak të motit, mbetet për t’u sqaruar përse një orë më vonë u dha drita jeshile për nisjen dhe mbi bazën e cilave të dhëna u mor ky vendim.
Hetimet pritet të hedhin dritë mbi rrethanat e tragjedisë dhe mbi përgjegjësitë e mundshme të autoriteteve që autorizuan lundrimin.

