Transportuesit nga vendet e Ballkanit Perëndimor paralajmërojnë protesta nëse nuk zgjidhet problemi i qëndrimit në zonën Schengen, raporton Anadolu.
Shoqatat e transportuesve nga Ballkani Perëndimor zhvilluan sot një takim në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, pas të cilit deklaruan se nuk duan të protestojnë, por nëse detyrohen, do ta ndërmarrin këtë hap.
“Ne do të jemi të durueshëm, do të përpiqemi të krijojmë skema për lëvizjen e shoferëve. Tani është periudha e pushimeve vjetore, megjithatë, ajo që na pret nga shtatori e tutje do të jetë shumë tragjike nëse nuk gjejmë zgjidhje. Nuk duam t’i bëjmë dëm askujt, as Bashkimit Evropian, as shteteve tona, e më së paku vetes, transportuesve, por nëse detyrohemi, do të organizojmë protesta me të cilat edhe një herë do t’ua kujtojmë të gjithëve se ekziston një problem që duhet të zgjidhet”, tha sekretarja e përgjithshme e Asociacionit të Transportuesve “Makam-trans”, Biljana Muratovska.
Nga ana tjetër, Nexho Mandiq nga Serbia tha se si transportues nuk duan të protestojnë, pasi kjo ndikon në të gjithë shoqërinë, por nëse detyrohen, do të duhet të dalin në protesta.
“Pra, ne kërkojmë 90 ditët tona të plota. Nëse mbetet që dita e hyrjes të llogaritet si dita e parë, ndërsa dita e daljes si dita e dytë, atëherë jemi në një problem serioz dhe problemi nuk do të zgjidhet, sepse ne nuk jemi qytetarë të zakonshëm që udhëtojnë për qëllime turistike në shtetet e zonës Schengen, por jemi profesionistë që punojmë çdo ditë, në varësi të kohëzgjatjes së itinerarit”, theksoi Mandiq.
Pas vendosjes së rregullave të reja të Bashkimit Evropian për qëndrimin në zonën Schengen, shoferët profesionistë janë ndër më të prekurit, për çka transportuesit protestuan kundër këtij vendimi. Ata kërkojnë përjashtim nga rregulli sipas të cilit qëndrimi kufizohet në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.
Me problemin përballen rreth 17 mijë shoferë profesionistë nga Maqedonia e Veriut ndërsa në nivel të vendeve të Ballkanit Perëndimor numri arrin në 100 mijë.
Në takim, i cili u mbajt në ambientet e “Makam-trans”, morën pjesë drejtuesit e shoqatave nga Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi.
Më 1 shtator në Bruksel është caktuar takim i nivelit të lartë me përfaqësues të Komisionit Evropian, ku do të diskutohet problemi i qëndrimit të shoferëve profesionistë në zonën e Schengenit.

