Një akt unifikimi i botës islame që ka tërbuar Izraelin dhe vasalët e tij
Pandeli Majko është i vetmi nga politika shqiptare që ka përshëndetur Marrëveshjen e Mekës. Ish-kryeministri socialist që dikur ka vlerësuar rolin e madh ndihmëtar të vendeve arabe ndaj Shqipërisë, sot vetëm deputet, e konsideron atë ndodhi pak ditë më parë në kryeqendrën e botës islame si një “lajm të mirë”. Por shkurt, pa preferuar të hyjë në analiza të imtësishme.
“Marrëveshja midis Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit, e quajtur si ‘Marrëveshja e Mekës’, është një akt i rëndësishëm gjeopolitik! Ky akt për vetmbrojtjen ushtarake zhvillon një balancë të re rajonale!
Marrëveshja e Mekës i shërben paqes dhe do të prodhojë efekte të cilat do të ndihen me kalimin e kohës! Bota po rindahet si asnjëherë më parë që nga Lufta e Ftohtë! Nga Meka vinë lajme të mira!”, shkruan ai, duke lënë të nënkuptuar mes rreshtash ndoshta ndonjë padakortësi me politikat shkatërrimtare dhe pushtuese të Izraelit në rajon.
Por kjo mbetet thjesht një hamendje e momentit. Majko nuk ka mbajtur ndonjë post diplomatik dhe as ka shfaqur ndonjë prirje për të bërë analiza diplomatike e gjeopolitike. Ndaj dhe bie në sy ky vlerësim i tij për një akt unifikimi të botës islame përballë kërcënimit izraelit nga njëra anë dhe iranian nga ana tjetër. /tesheshi

