Tre shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerë janë lënduar rëndë në një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur të enjten në autostradën bregdetare pranë vendbanimit Unec në Slloveni, transmeton Anadolu.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti ka ndodhur pasi një kamion, për shkak të një defekti, ishte ndalur në zonën e parashikuar për ndalim. Për arsye ende të panjohura, automobili është përplasur me pjesën e pasme të majtë të rimorkios së kamionit.
Në automjet ndodheshin pesë persona, të gjithë shtetas të Maqedonisë së Veriut. Mjeku ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e tre prej tyre, ndërsa dy të lënduarit janë dërguar në spital. Njëri prej tyre, i cili ka pësuar lëndime të rënda, është transportuar me helikopter, ndërsa shoferi është dërguar me autoambulancë.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se Ambasada e vendit në Lubjanë ka marrë njoftim zyrtar nga policia sllovene për aksidentin.
“Na është dorëzuar njoftim zyrtar nga policia sllovene për një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur më 27 gusht 2026 në autostradën A1, pranë Unecit”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.
Ajo tha se Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Lubjanë është në komunikim me institucionet përkatëse sllovene dhe po ndjek zhvillimin e mëtejshëm të procedurës.
Aksidenti është raportuar në orën 16:28 të së enjtes, ndërsa në vendngjarje kishin mbërritur patrulla policore dhe ekipe të zjarrfikësve.
Në vendin e aksidentit është kryer hetim nga prokurori i shtetit dhe gjyqtari hetues. Policia pritet të publikojë më shumë informacione pas përfundimit të veprimeve hetimore.

