Presidenti i SHBA-së, Donald Trump përshëndeti “progresin e jashtëzakonshëm” të bërë gjatë samitit të tij javën e kaluar me presidentin kinez Xi Jinping, transmeton Anadolu.
“Kombi ynë po fiton”, tha Trump ndërsa foli me gazetarët në bordin e “Marine One”, duke e përshkruar takimin e tij me Xi-në si “të pabesueshëm” dhe duke vënë në dukje se “zgjati për një kohë të gjatë”.
Ai shtoi se “tre ditët e fundit kanë qenë shumë të mahnitshme”, duke thënë se “po ndodhin shumë gjëra të mira” pas bisedimeve.
Xi përfundoi vizitën tre-ditore në SHBA pas bisedimeve me Trumpin, gjatë të cilave të dy udhëheqësit ranë dakord të ndërtojnë “një marrëdhënie konstruktive të stabilitetit strategjik” bazuar në respekt, drejtësi dhe reciprocitet, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Ata diskutuan për çështjet globale, përfshirë Rusinë, Korenë e Veriut dhe Iranin, duke rënë dakord se Irani “nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore” dhe se asnjë vend apo institucion nuk duhet të lejohet të vendosë taksa në rrugët ujore ndërkombëtare.
Të dy vendet ranë dakord të krijojnë një “dialog super inteligjence” SHBA-Kinë për të diskutuar mbi rreziqet dhe përfitimet e teknologjive në zhvillim ndërsa Trump mbështeti bisedimet trepalëshe për kontrollin e armëve që përfshijnë SHBA-në, Rusinë dhe Kinën.

