Presidenti amerikan Donald Trump nuk pranoi të thoshte nëse Washingtoni do t’i vinte në ndihmë Britanisë nëse Argjentina do të përpiqej të rimerrte Ishujt Falkland, ndërsa kritikoi Mbretërinë e Bashkuar për mosdhënien e mbështetjes më të madhe për operacionet ushtarake amerikane që kanë të bëjnë me Iranin, transmeton Anadolu.
I pyetur në një intervistë nga transmetuesi britanik GB News nëse SHBA-ja do ta mbështeste Mbretërinë e Bashkuar në rast të një konflikti tjetër për ishujt, Trump kujtoi luftën e Britanisë me Argjentinën në vitin 1982, por nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes.
“Unë isha aty kur ata zhvilluan luftën e parë. Kjo ishte shumë kohë më parë dhe e ndoqa me shumë vëmendje”, tha Trump. “U sollët shumë mirë. E rimorët me mjaft forcë, por është shumë larg”, shtoi ai.
Trump më pas e zhvendosi vëmendjen te roli i Britanisë në fushatën ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja kundër Iranit, duke thënë se Londra nuk ka bërë mjaftueshëm për ta ndihmuar Washingtonin.
“Vendi juaj nuk ishte aty për të më ndihmuar”, tha ai, duke shtuar se u kishte kërkuar vendeve anëtare të NATO-s dhe ish-kryeministrit britanik Keir Starmer të kontribuonin me anije.
“Nuk kishim nevojë për ndihmë, por unë i kërkova NATO-s dhe i kërkova ish-udhëheqësit tuaj: ‘Pse nuk dërgoni disa anije?’”, tha Trump.
Duke iu rikthyer Ishujve Falkland, Trump vuri në pikëpyetje nëse Britania e ruan ende kapacitetin ushtarak për të mbrojtur territorin në Atlantikun Jugor, siç bëri në vitin 1982.
“Vendi juaj nuk është i njëjti vend që ishte 20 apo 25 vjet më parë”, tha ai. “Thjesht nuk e di nëse e keni kapacitetin për ta bërë këtë. Është një ndryshim i madh”, theksoi Trump.
Deklaratat vijnë në kohën kur pritet që presidenti argjentinas Javier Milei, një aleat i Trumpit, t’i drejtohet kombit lidhur me Ishujt Falkland, të cilët Argjentina i quan Malvinas dhe mbi të cilët pretendon sovranitet, duke u bazuar në trashëgiminë nga Kurora Spanjolle dhe dekretet historike, ndërsa Britania ka ruajtur kontrollin dhe administrimin e arkipelagut që nga viti 1833.
Në fillim të viteve 1980, Argjentina dhe Britania zhvilluan atë që u bë e njohur si Lufta e Falklandit për arkipelagun e kontestuar.
Ishujt Falkland përbëhen nga dy ishuj kryesorë, Falklandi Lindor dhe Falklandi Perëndimor, si dhe më shumë se 700 ishuj më të vegjël. Arkipelagu shtrihet në rreth 12.200 kilometra katrorë dhe ndodhet rreth 480 kilometra larg brigjeve jugore të Argjentinës, me një vijë bregdetare prej rreth 1.300 kilometrash.

