RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Trump thotë se çështja e armëve bërthamore është një mashtrim, bën thirrje të publikohet urdhëri i FBI-së

trump-thote-se-ceshtja-e-armeve-berthamore-eshte-nje-mashtrim,-ben-thirrje-te-publikohet-urdheri-i-fbi-se

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi të premten se “çështja e armëve bërthamore është një mashtrim”, duke iu përgjigjur një raporti të publikuar nga Washington Post ku thuhej se agjentët e FBI-së kërkuan për dokumente bërthamore gjatë një kontrolli të bërë në shtëpinë e tij në Florida në fillim të kësaj jave.

Ish-presidenti e krahasoi lajmin e bërë publik nga Washington Post me polemikat që përfshijnë Rusinë, dy mocionet për shkarkimin e tij dhe hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në SHBA.

“Janë të përfshirë të njëjtët njerëz të këqij,” tha Trump, i cili nuk ofroi asnjë provë për të vërtetuar pretendimin e tij se provat mund të ishin vendosur ose fabrikuar. Nuk ishte e qartë nëse dokumentet në lidhje me armët bërthamore u gjetën në fillim të kësaj jave në resortin Mar-a-Lago të Trumpit. Raporti i Washington Post nuk mund të konfirmohej ose të vërtetohej menjëherë.

Gjatë 11 gushtit, Departamenti i Drejtësisë tha se ka bërë kërkesë për publikimin e dokumenteve, që zakonisht mbesin konfidenciale kur një hetim është në zhvillim e sipër. Por, departamenti tha se publiku duhet të dijë pse FBI-ja bastisi shtëpinë e ish-presidentit të hënën, më 8 gusht.

“Interesi i publikut është i madh për të kuptuar atë që ndodhi”, thuhej në mocionin e paraqitur në gjykatën federale në Florida.

Kërkesa që Departamenti i Drejtësisë bëri të enjten është e pazakontë sepse dokumente të tilla zakonisht mbahen konfidenciale ndërsa vazhdon hetimi. Por mesa duket Departamenti kishte arritur në përfundimin se heshtja e tij, që kur u bë kontrolli, kishte krijuar një hapësirë për retorikë të ashpër nga zoti Trump dhe aleatët e tij dhe se publiku kishte të drejtën të njihej me versionin e FBI-së për arsyet që sollën kontrollin në shtëpinë e ish-presidentit të hënën. Trump tha se nuk e kundërshtoi lëshimin e urdhrit.

Duke folur në një konferencë për media më 11 gusht, prokurori i Përgjithshëm, Merrick Graland, mbrojti agjentët e FBI-ë dhe zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë.

“Nuk do të rri i heshtur kur integriteti i tyre sulmohet padrejtësisht”, tha ai për gazetarët.
Mandat kërkimi ishte pjesë e një hetimi nëse Trumpi hoqi në mënyrë të paligjshme të dhënat nga Shtëpia e Bardhë kur u largua nga detyra në janar 2021.

Departamenti i Drejtësisë beson se disa nga ato dokumente janë të klasifikuara. Trump dhe avokatët e tij bashkëpunuan me kontrollin e 8 gushtit, ashtu si me një kontroll të ngjashëm të pronës në Florida në fillim të këtij viti.

Mediumet amerikane Wall Street Journal dhe Newsweek raportuan këtë javë se një informator kishte informuar FBI-në për mundësinë e dokumenteve të klasifikuara në posedim të Trump.

Ndërsa vetë bastisja është e paprecedentë në historinë e SHBA-së – asnjë ish-president i SHBA-së nuk ka qenë ndonjëherë objektiv i një urdhër kërkimi federal – vendimi i prokurorit të Përgjithshëm, Merrick Graland për të konfirmuar publikisht kërkimin ishte gjithashtu shumë i pazakontë.

Urdhri mund të bëhet publik më vonë gjatë ditës më 12 gusht. /rel

Related posts

Mbyllet afati për certifikim të partive për zgjedhjet e 23 prillit, Lista Serbe nuk aplikon

admin

Bashkatdhetarët këtë vit dërguan më pak para

admin

Hamasi: Nuk do t’i dorëzojmë të burgosurit izraelitë pa ujdi të vërtetë

admin