RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Trump vë në dyshim mbështetjen që NATO do t’i ofronte SHBA-së nëse do të kishte vërtet nevojë për aleancën

trump-ve-ne-dyshim-mbeshtetjen-qe-nato-do-t’i-ofronte-shba-se-nese-do-te-kishte-vertet-nevoje-per-aleancen

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vuri në dyshim nëse NATO do t’i dilte në krah Washingtonit nëse vendi do të kishte realisht nevojë për ndihmën e aleancës, pavarësisht angazhimit të tij për të mbështetur vendet anëtare, transmeton Anadolu.

“Rusia dhe Kina nuk kanë aspak frikë nga NATO pa SHBA-në dhe unë dyshoj nëse NATO do të ishte aty për ne nëse do të kishim vërtet nevojë për ta”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Ai tha se Washingtoni do t’i respektojë detyrimet aleate pavarësisht mungesës së reciprocitetit, duke pretenduar se Rusia dhe Kina e “respektojnë” SHBA-në vetëm nën udhëheqjen e tij.

Trump mori gjithashtu meritën për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s nga 2 për qind në 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB), duke pohuar se shumica e vendeve nuk i përmbushnin detyrimet e tyre financiare deri në ndërhyrjen e tij.

Ai tha se Amerika “marrëzisht” po i mbulonte shpenzimet e tyre, para se ai t’i detyronte ata të paguanin “menjëherë”.

Në një samit në muajin qershor në Hagë, aleatët e NATO-s ranë dakord që të rrisin objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind të PBB-së deri në vitin 2035.

Trump gjithashtu kritikoi Norvegjinë, një vend anëtar i NATO-s, për mosdhënien e Çmimit Nobel për Paqe, duke përsëritur pretendimin e tij se ka përfunduar i “vetëm” tetë luftëra.

“Por kjo nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se unë kam shpëtuar miliona jetë”, shtoi ai.

Related posts

Presidenti turk dënon incidentin me të shtëna në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë

Kushtrim Guraj

Kurti: Do të vazhdojmë të forcojmë ushtrinë dhe policinë

Hevzi

Aktivistët e klimës apel qeverive që përmes lëndëve djegëse fosile dëmtojnë mjedisin

admin