RTV AHIRETI
KosovëLajmeRajon dhe Botë

Trupat e Kosovës në Gaza: kur mirënjohja ndaj SHBA-së kthehet në verbëri!

trupat-e-kosoves-ne-gaza:-kur-mirenjohja-ndaj-shba-se-kthehet-ne-verberi!

Sfidimi i drejtësisë ndërkombëtare si pjesë e një misioni që shumica e Evropës po e bojkoton

Vendimi i të premtes i Kuvendit të Kosovës për të dërguar trupa të FSK-së në Rripin e Gazës, është hapi më i rrezikshëm në historinë e shtetit më të ri në Evropë.

Ky mision, i propaganduar si “kontribut për paqen”, ngre dyshime të forta mbi legjitimitetin dhe moralin e tij. Prishtina po hyn qorrazi në një nismë të cilën fuqitë kryesore evropiane po e bojkotojnë hapur.

Ky akt ngre pikëpyetje që kërkojnë përgjigje urgjente: Nga kush do ta mbrojnë paqen trupat e FSK-së? A po shkojnë këta ushtarë të përballen me Hamasin, i cili po bën një luftë popullore çlirimtare për mbijetesë? Apo do të rreshtohen në krah të pushtuesve izraelitë?

Ky rreshtim është një ftesë për të shpërfillur rezolutat e OKB-së kundër gjenocidit. Kosova rrezikon të kthehet në bashkëpunëtore të një politike që udhëhiqet nga të shumëkërkuarit e Gjykatës së Hagës për krime lufte.

Askush nuk i mohon meritat e pakontestueshme të SHBA-së për çlirimin e Kosovës. Por mirënjohja nuk mund të kthehet në verbëri përballë krimeve të luftës. Ajo nuk i jep të drejtën klasës politike kosovare të mbyllë sytë para masakrave.

Populli i Gazës po vuan prej dekadash një shtypje dhe gjenocid të pashembullt. Ky fat ngjan tmerrësisht me atë që shqiptarët e Kosovës hoqën mbi kurrizin e tyre deri në vitin 1999.

Është paradoksale dhe e dhimbshme që dikush që ka vuajtur spastrimin etnik, sot bëhet gati të dërgojë ushtarë të ruajnë rendin e një pushtuesi. Ky nuk është profesionalizëm, por një nxitim servil për të paguar një haraç diplomatik.

Dhe ky haraç po paguhet me dinjitetin e një shteti që moralin e tij e ka ndërtuar mbi rezistencën. Skenari ku ushtarët e Kosovës bëjnë roje mbi rrënojat e Gazës është tmerrues. Ata nuk po dërgohen për paqe, por si dekor në një skenë gjakderdhjeje.

Rreziqet taktike janë po aq shqetësuese sa ato morale. FSK-ja po futet në një terren ku mund të bëhet objektiv legjitim i rezistencës vendase. Një ushtar i Kosovës i vrarë në Gaza nuk do të ishte dëshmor i paqes, por viktimë e një aventure politike të keqllogaritur.

Duke vepruar pa një mandat të OKB-së dhe pa mbështetjen e BE-së, Kosova po tradhton vlerat e saj. Liria nuk mbrohet duke ndihmuar shtypjen e tjetrit. Rreshtimi krah forcave pushtuese e njollos flamurin e FSK-së.

Ai e kthen Kosovën nga një simbol të lirisë në një vegël të padrejtësisë. S’ka paqe që mbrohet me bajonetat e një regjimi gjenocidal. Historia do të jetë e ashpër me ata që kthyen kokën mënjanë.

Nuk mund të jesh mirënjohës ndaj aleatëve duke u bërë pjesëtar në zhbërjen e një populli. Prishtina duhet të ndalet para se çizmet e ushtarëve të saj të shkelin në Gaza. Ky mision nuk lartëson Kosovën, por e njollos atë për dekadat që do të vijnë. /tesheshi

Related posts

Cilat janë vendimet e para të qeverisë Kurti III?

Muhamet Ramadani

25 vite nga sulmet e NATO-s mbi Beograd/ Analiza: Cilat ishin shënjestrat e Aleancës dhe faktorët që ndikuan në “gjunjëzimin” e Serbisë

admin

Presidenti i Kenias propozon monedhë të vetme për Afrikën

admin