RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Trupi gjykues miraton tërheqjen e Gregory Kehoes nga mbrojtja e Hashim Thaçit

trupi-gjykues-miraton-terheqjen-e-gregory-kehoes-nga-mbrojtja-e-hashim-thacit

Trupi gjykues në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, miratoi tërheqjen e Gregory Kehoe si mbrojtës kryesor i Thaçit.

Vendimi është marrë më 14 shkurt, ndërsa hyn në fuqi kur administratorja cakton bashkëmbrojtësin e ri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Duke marrë parasysh se Thaçi dhe Lluka Mishetiq (aktualisht njëri nga bashkëmbrojtësit e Thaçit) u pajtuan që Mishetiqi të zëvendësojë Kehoen, trupi gjykues ftoi palët dhe administratoren që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të caktuar Mishetiqin si kryembrojtës të Thaçit sa më shpejtë që të jetë e realizueshme”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Po ashtu, trupi gjykues miratoi tërheqjen e bashkëmbrojtësit të Thaçit, Joe Reeder, ndërsa udhëzoi administratoren që të marrë vendim në lidhje me kërkesën për tërheqjen e tre ndihmësve juridik dhe pesë ndihmësve administrativ të ekipit.

Së fundi, trupi gjykues shqyrtoi kërkesën e Kehoes për pagimin e shpenzimeve nga DHSK-ja gjatë periudhës kalimtare, do të thotë pas caktimit të mbrojtësit të ri.

Më tej, trupi gjykues vuri në dukje se administratorja mund të vendos të udhëzojë Kehoen që të vazhdojë të veprojë ose të ndihmojë mbrojtësin zëvendësues (për një periudhë prej 45 ditësh), por, duke marrë parasysh se mbrojtësi i ri nuk është caktuar ende dhe administratorja nuk ka lëshuar këto udhëzime për Kehoen, u konstatua se kërkesa është e parakohshme në këtë fazë dhe rrjedhimisht e hodhi poshtë.

Ndryshe, më 30 janar është bërë publike se me arsyetimin që nuk janë kryer obligimet ndaj tyre, Gregory Kehoe, Joe Reeder, Greenberg Legal Associates dhe anëtarët e kësaj kompanie, kishin kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja e Hashim Thaçit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Related posts

Italia nënshkruan marrëveshje miliarda dollarëshe për gazin me Libinë

rezart morina

Myftiu Tërnava vuri gurthemelin e xhamisë së re në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë

admin

Arabia Saudite merr vendim: gratë mund të kryejnë haxhin pa shoqërues

rezart morina