Turqia nuk do të hezitojë të përdorë metodat legjitime për të mbrojtur interesat e saj kombëtare përballë veprimeve gjithnjë e më provokuese të Greqisë, tha sot Këshilli i Sigurisë Kombëtare i vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Këshilli u kërkoi të gjithë “aktorëve që inkurajojnë Greqinë të armatosë ishujt që kanë status joushtarak … të shfaqin arsye të shëndoshë”, thuhet në një deklaratë të lëshuar pas një takimi katërorësh të kryesuar nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan në kryeqytetin Ankara.
Këshilli kritikoi SHBA-në për hapin e saj të fundit për të hequr embargon e armëve ndaj administratës greke qipriote, duke thënë se ky vendim është “në kundërshtim me frymën e aleancës” dhe duhet të revokohet.
Turqia do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e turqve qipriotë, theksoi Këshilli, ndërsa i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të njohë pavarësinë e Republikës Turke të Qipros Veriore.
Këshilli dënoi gjithashtu provokimet e Armenisë kundër Azerbajxhanit, duke i kërkuar Jerevanit të përmbushë detyrimet e tij dhe të bëjë përpjekje për paqen.