Administrata e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, njoftoi se të premten në Stamboll, do të nënshkruhet marrëveshja për rifillimin e eksportit të grurit ukrainas, raportoi BBC-ja të enjten.
Sipas njoftimit, marrëveshja për eksportim të grurit do të nënshkruhet mes Turqisë, OKB-së dhe përfaqësuesve të Ukrainës e Rusisë.
Nga zyra e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Gueterres, u tha se nuk janë plotësisht të sigurt që marrëveshja do të përfundojë.
“Situata mbetet disi e pasigurt, kështu që nuk mund të them se kur do të nënshkruhet diçka. Nuk kemi rënë dakord ende për gjithçka”, deklaroi një zëdhënës i OKB-së.
Të enjten, Ankaraja njoftoi se me ndërmjetësimin e saj, është e mundur të arrihet një marrëveshje mbi planin e propozuar nga OKB-ja, për të rivendosur eksportin e grurit ukrainas.
Aktualisht, Ukraina eksporton grurë nëpërmjet porteve ujore të Danubit dhe tokës, por këto kanale lejojnë eksportimin vetëm të një pjese të vogël.
Pas nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt, portet ukrainase në Detin e Zi, kryesisht Odesa dhe Mykolaiv, u bllokuan dhe portet në Detin Azov u kapën nga Rusia.
Sipas ekspertëve perëndimorë, rreth 20 milionë tonë drithë u mblodhën në Odesa dhe rrethinat e saj. /koha