Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka përshëndetur vendimin e tre vendeve evropiane për njohjen e shtetit të Palestinës, si dhe u ka kërkuar vendeve të tjera të marrin vendime të ngjashme, raporton Anadolu.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e çmimeve ndërkombëtare të dashamirësisë, të mbajtur në Ankara, presidenti Erdoğan tha se është “shumë i kënaqur” me njoftimet e sotme nga Norvegjia, Irlanda dhe Spanja se do të njohin shtetin e Palestinës.
Vendimi për njohjen e shtetit të Palestinës vjen pasi Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm në enklavën palestineze.
“Ata që ofrojnë mbështetje logjistike dhe ushtarake për pushtuesit, mbajnë të njëjtën përgjegjësi si vetë pushtuesit për gjakun që rrjedh në Gaza”, tha presidenti turk.
Erdoğan gjithashtu tha se për sa kohë që fuqitë perëndimore vazhdojnë të qëndrojnë pas kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, me gjithë “arrogancën dhe pamaturinë e tij”, masakrat në Palestinë nuk mund të parandalohen.
Presidenti turk theksoi se Izraeli në 229 ditët e fundit të sulmit e ka kthyer Rripin e Gazës së bllokuar në një varrezë të madhe fëmijësh.
Ai po ashtu paralajmëroi se nëse ekspansionizmi sionist vazhdon kështu, bota është “e prirur ndaj konflikteve të reja”.
“Izraeli e ka humbur këtë luftë dhe është dënuar në sytë e njerëzimit”, shtoi ai.
Palestina është njohur tashmë nga tetë vende evropiane, përkatësisht nga Bullgaria, Polonia, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Hungaria, Suedia dhe administrata e Qipros Greke.
Të paktën 35.700 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe rreth 80 mijë të tjerë janë plagosur që nga tetori i kaluar pas sulmit ndërkufitar të Hamasit.
Më shumë se shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Rripin e Gazës.
7’nci Uluslararası İyilik Ödülleri https://t.co/JO1Ct68fDh
— Recep Tayyip Erdoğan (@RTErdogan) May 22, 2024