RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Turqia shpreson se marrëveshja e drithërave në Detin e Zi do të vazhdojë

turqia-shpreson-se-marreveshja-e-dritherave-ne-detin-e-zi-do-te-vazhdoje

Ministria turke e Mbrojtjes ka deklaruar se edhe pse marrëveshja historike e drithërave të Detit të Zi skadoi të hënën, Turqia akoma po punon shumë për të siguruar vazhdimin e saj, raporton Anadolu.

“E gjithë bota i kushton rëndësi të madhe ruajtjes së marrëveshjes së drithërave. Është e qartë se marrëveshja, e cila u arrit përmes përpjekjeve të përbashkëta, luan rol jetik në trajtimin e krizës globale të ushqimit”, u tha gazetarëve një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes.

Të hënën, Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e cila u nënshkrua në muajin korrik të vitit të kaluar së bashku me Turqinë, Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Ukrainën për të rifilluar eksportet e drithërave nga portet ukrainase të Detit të Zi, që u ndërprenë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në muajin shkurt.

Edhe gjatë rinovimit të marrëveshjes në muajt e kaluar, Moska është ankuar se pjesa ruse e marrëveshjes nuk po zbatohej.

“Shpresojmë që kjo nismë të vazhdojë, pasi kontribuon shumë në stabilizimin e çmimeve globale të ushqimeve dhe dëshmon se të gjitha krizat mund të zgjidhen me vullnet të mirë dhe dialog”, tha zyrtari turk.

Duke kujtuar se marrëveshja ishte zgjatur tre herë tashmë, respektivisht më 19 nëntor, më 18 mars dhe më 18 maj, zyrtari turk tha se mbi 33 milionë tonë drithëra janë dërguar nga portet ukrainase në 45 vende nëpër tre kontinente.

“Kontaktet tona me zyrtarë të OKB-së, Rusisë dhe Ukrainës në lidhje me zgjatjen e nismës së drithërave, që skadoi më 17 korrik dhe u ndalua nga Rusia, vazhdojnë në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë”, shtoi ai.

Ai theksoi se Turqia është e gatshme të marrë rol “aktiv dhe lehtësues” për një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme si dhe të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes për të lehtësuar krizën humanitare.

I pyetur për personelin rus në Qendrën e Përbashkët të Koordinimit në Istanbul, e cila ka mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes, zyrtari tha se “personeli rus u largua nga qendra”, duke theksuar më tej se Turqia favorizon vazhdimin e marrëveshjes me statusin e saj aktual.

Qendra e Përbashkët e Koordinimit u themelua në Istanbul me zyrtarë nga të tre vendet dhe OKB-ja për të mbikëqyrur dërgesat.

Turqia, e vlerësuar në nivel ndërkombëtar për rolin e saj unik ndërmjetësues midis Ukrainës dhe Rusisë, vazhdimisht u ka bërë thirrje Kievit dhe Moskës që t’i japin fund luftës përmes negociatave.

Related posts

Bullgari, 5 parti hynë në Parlament pas zgjedhjeve parlamentare

rezart morina

Vdekja e 4 vjeçares, HRN: Të merren masa të menjëhershme për të hetuar plotësisht çështjen

rezart morina

Kremlini: Ukrainasit “sakrificë rituale” për NATO-n në luftën kundër Rusisë

admin6