RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Turqia shpreson të arrijë sa më parë rezultate për shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit

turqia-shpreson-te-arrije-sa-me-pare-rezultate-per-shkembimin-e-pengjeve-mes-izraelit-dhe-hamasit

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Turqia shpreson të arrijë sa më parë rezultate pozitive në një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, raporton Anadolu.

Në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij algjerian, Abdelmadjid Tebboune, pas takimit të tyre në Algjer, presidenti Erdoğan tha se Turqia është në komunikim të vazhdueshëm për të zgjidhur krizën e pengjeve dhe pret të marrë rezultate pozitive nga bisedimet.

Erdoğan njoftoi se ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan dhe shefi i inteligjencës turke, İbrahim Kalın, me përpjekje të përbashkëta nga Katari, janë angazhuar në bisedime për lirimin e pengjeve.

Lidhur me bombardimin e Gazës nga Izraeli, Erdoğan tha se sulmet ndaj spitaleve, vendeve të kultit dhe objekteve të tjera në Gaza, të cilat duhet të jenë nën mbrojtje, si dhe zhvendosja e detyruar e njerëzve përbëjnë akte “çnjerëzore dhe barbarizëm”.

Presidenti turk tha se vendi i tij pa mëdyshje kundërshton sulmet izraelite në Gaza, të cilat përbëjnë dënim kolektiv dhe krime lufte. Ai theksoi se përparësia e Ankarasë është një armëpushim i përhershëm dhe ndihma humanitare e papenguar.

“Krijimi i një shteti palestinez me kryeqytet Kudsin Lindor, bazuar në kufijtë e vitit 1967, tani është i pashmangshëm. Në këtë drejtim, ne do të vazhdojmë të bëjmë maksimumin”, theksoi ai.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Së fundmi, autoritetet në Gaza njoftuan se numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në enklavën e rrethuar që nga 7 tetori është rritur në mbi 13.300, përfshirë 5.600 fëmijë dhe 3.550 gra.

Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelite është rreth 1.200.

Related posts

ZRRE-ja rekomandon shtrenjtim të sërishëm të rrymës

rezart morina

Mediat: Dy të vdekur në Prishtinë nga koronavirusi

admin

Qeveria miraton tri marrëveshjet e Procesit të Berlinit

admin