Mes tensioneve dhe konfliktit midis Izraelit dhe Palestinës, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve me ndikim në rajon që të bëjnë përpjekje serioze për paqen në Lindjen e Mesme, raporton Anadolu.
“U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve me ndikim në rajon që të marrin përgjegjësinë për vendosjen e paqes, duke vepruar në parimin ‘nuk ka humbës në një paqe të drejtë’ “, tha presidenti Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me kancelarin austriak, Karl Nehammer.
Erdoğan tha se çdo hap që mund të përshkallëzojë tensionin, të shkaktojë më shumë gjakderdhje ose të përkeqësojë problemet në rajon duhet të shmanget.
“Nga shtimi i benzinës në zjarr, duke shënjestruar veçanërisht civilët dhe vendbanimet civile, nuk do të përfitojë askush”, theksoi ai.
Presidenti turk njoftoi se do të zhvillojë biseda të ndara telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin dhe sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, për të diskutuar situatën.
“Ne do të vazhdojmë bisedimet edhe me vendet e Gjirit”, shtoi ai.
Më tej, presidenti turk shprehu bindje se tensioni izraelito-palestinez nuk do të përfundojë brenda një ose dy javës, duke shtuar se “kjo është arsyeja pse ne po zhvillojmë bisedime”.
“Turqia po përpiqet të gjejë se si mund të ndërmjetësojë mes Izraelit dhe Palestinës. Dëshira jonë është ta ndalojmë këtë luftë sa më parë”, tha ai.
“Aktualisht nuk ka furnizim me ujë në Gaza. Nuk ka energji elektrike, ajo nuk po sigurohet. Po të drejtat e njeriut?”, shtoi ai.
Të shtunën, Hamasi lëshoi një breshëri raketash dhe dërgoi dhjetëra luftëtarë për të sulmuar qytetet izraelite pranë Rripit të Gazës.
Hamasi tha se sulmi i befasishëm ishte në përgjigje të shkeljeve izraelite të kompleksit të xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë.
İzraeli u kundërpërgjigj me një seri sulmesh ajrore në Rripin e Gazës dhe vendosi një bllokadë të plotë të territorit ku banojnë afër 2.3 milionë njerëz.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë me bazë në Gaza, të paktën 830 palestinezë janë vrarë deri më tani dhe 4.250 të tjerë janë plagosur nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës.
Sipas të përditshmes izraelite ‘Haaretz’, po ashtu mbi 1 mijë izraelitë janë vrarë që nga e shtuna.
Avusturya Başbakanı Karl Nehammer’i Resmî Karşılama Töreni https://t.co/4S8ujEiFFp
— Recep Tayyip Erdoğan (@RTErdogan) October 10, 2023