Agjencia e Fëmijëve e Kombeve të Bashkuara (UNICEF) ka bërë të ditur se nëntë në dhjetë familje në Libanin e varfër nuk kanë para të mjaftueshme për të blerë gjërat thelbësore, transmeton Anadolu.
“Familjet në Liban mezi janë në gjendje të plotësojnë nevojat e tyre më elementare, pavarësisht shkurtimit drastik të shpenzimeve. Një numër në rritje familjesh duhet të drejtohen për t’i dërguar fëmijët e tyre, disa deri në moshën 6-vjeç,për të punuar në një përpjekje të dëshpëruar për t’i mbijetuar krizës socio-ekonomike që ka përfshirë vendin ”, tha UNICEF.
Një sondazh i kryer nga agjencia e OKB-së zbuloi se pothuajse nëntë në dhjetë familje në Liban nuk kanë para të mjaftueshme për t’i blerë gjërat thelbësore.
“50 për qind e familjeve ndaluan arsimimin e fëmijëve të tyre krahasuar me 10 për qind një vit më parë dhe 52 për qind reduktuan shpenzimet për arsimin krahasuar me 38 për qind një vit më parë”, theksoi UNICEF.
Sipas UNICEF-it, tre të katërtat e familjeve kanë reduktuar shpenzimet për trajtimin shëndetësor.
Sondazhi po ashtu zbuloi se dy në pesë familje janë detyruar të shesin pasuritë e familjes krahasuar me një në pesë vitin e kaluar.
“Krizat e ndërlikuara me të cilat përballen fëmijët e Libanit po krijojnë një situatë të padurueshme, duke thyer shpirtin e tyre, duke dëmtuar shëndetin e tyre mendor dhe duke kërcënuar me zhdukjen e shpresës së tyre për një të ardhme më të mirë”, tha Edouard Beigbeder, përfaqësues i UNICEF-it në Liban.
Libani po përballet me një krizë të rëndë ekonomike që nga viti 2019, e cila sipas Bankës Botërore, është një nga krizat më të rënda që ka parë bota në kohët moderne.