Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) tha se java e kaluar ishte java më vdekjeprurëse për civilët palestinezë që jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e UNRWA-së tërhiqet vëmendja se bashkë me luftën që ashpërsohet në Rripin e Gazës është rritur dhuna dhe shkatërrimi edhe në Bregun Perëndimor.
“Që nga nëntori, java e kaluar ishte java më vdekjeprurëse për civilët palestinezë në Bregun Perëndimor. Janë vrarë shumë njerëz, përfshirë 7 fëmijë. Kjo është e papranueshme dhe duhet të ndalet menjëherë”, thuhet në deklaratë.
Më 28 gusht, Izraeli njoftoi se në kampet e refugjatëve në qytetet Jenin, Tulkarm dhe Tubas të Bregun Perëndimor, kishte nisur sulmin e tij të quajtur “Kampet verore” më intensiv dhe gjithëpërfshirës që nga viti 2002, kur u zhvillua “Intifada e Dytë”.
Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë deri më 28 gusht, 39 palestinezë mes tyre 21 fëmijë dhe të moshuar janë vrarë në Jenin, 8 në Tubas, 7 në Tulkarm dhe 3 në El-Halil (Hebron) ndërsa janë plagosur 145 të tjerë.
Ushtria izraelite u tërhoq mëngjesin e sotëm pas sulmeve dhe bastisjeve që vazhduan për 10 ditë në Bregun Perëndimor, duke lënë pas shkatërrime të mëdha.
Që nga 7 tetori 2023, të paktën 691 palestinezë janë vrarë në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe izraelitëve që grabisin tokat palestineze në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar.