RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

UNRWA u kërkon vendeve perëndimore ta shqyrtojnë ndërprerjen e financimit të saj në Gaza

unrwa-u-kerkon-vendeve-perendimore-ta-shqyrtojne-nderprerjen-e-financimit-te-saj-ne-gaza

Kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, u ka kërkuar vendeve që kanë ndërprerë financimin që të rishqyrtojnë vendimin e tyre të cilin e ka quajtur “tronditës”, raportoi të dielën BBC-ja.

“Mbi dy milionë njerëz në Rripin e Gazës varen nga ky financim për mbijetesën e tyre të plotë”, ka thënë Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-s, Philippe Lazzarini. “Do të ishte jashtëzakonisht e papërgjegjshme të sanksionosh një agjenci dhe një komunitet të tërë të cilit i shërben për shkak të akuzave për akte kriminale kundër disa individëve, veçanërisht në një kohë lufte, shpërnguljeje dhe krize politike në rajon”, ka shtuar ai.

Tetë vende, përfshirë Britaninë e Madhe, ndërmorën këtë veprim pasi Izraeli ka pretenduar se disa staf të UNRWA-s janë të përfshirë në sulmet vdekjeprurëse të Hamasit të 7 tetorit në Izrael.

Agjencia ka thënë se po e heton rastin dhe se tashmë i ka shkarkuar ata punonjës.

Izraeli ka akuzuar prej kohësh degë të ndryshme të OKB-së – përfshirë UNRWA-n – për paragjykim e edhe për antisemitizëm.

Vendet që tani kanë pezulluar financimin e UNRWA-s janë Australia, Kanadaja, Finlanda, Gjermania, Italia, Holanda, Britania e Madhe dhe SHBA-ja.

E krijuar në vitin 1949, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë, UNRWA, është agjencia më e madhe e OKB-së që vepron në Gaza. Kjo agjenci ofron kujdes shëndetësor, arsim dhe ndihma të tjera humanitare për palestinezët në Gaza, Bregun Perëndimor, Jordani, Liban dhe Siri. Ajo punëson rreth 13,000 njerëz brenda Gazës. /koha

Related posts

Kadyrov: Forcat çeçene, të gatshme të zëvendësojnë Wagnerin në Bakhmut

rezart morina

Shefi i OKB-së do të takohet me presidentët turk dhe ukrainas në Lviv

admin

Vriten me thikë 10 punëtorë të një ferme në Iran, arrestohet një afgan

admin