Ushtria e Jemenit tha të martën vonë se ka kryer 414 sulme ndaj objektivave të Huthive në fronte të shumta gjatë 24 orëve të fundit, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi ushtarak Majed al-Nuzaili tha se operacionet kishin në shënjestër përforcimet dhe kapacitetet ushtarake të Huthive, sipas një deklarate të publikuar nga agjencia zyrtare e lajmeve Saba.
Ai tha se sulmet shkaktuan humbje në radhët e Huthive dhe pajisjeve ushtarake, pa dhënë shifra. Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Huthit mbi pretendimet e ushtrisë.
Të hënën, Ministria e Mbrojtjes tha se forcat qeveritare kanë kryer 356 operacione kundër objektivave të Huthive në 10 fronte, duke vrarë ose plagosur 476 anëtarë të grupit.
Jemeni është përfshirë në konflikt që kur Huthit pushtuan kryeqytetin Sana dhe disa provinca në vitin 2014, duke bërë që një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite të ndërhynte në vitin 2015 në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Jemenit.
Luftimet u intensifikuan në shtator, ku Huthit morën kontrollin e disa zonave kyçe në provincat Al-Hudaydah dhe Taiz, përfshirë qytetin strategjik të Mokha-s dhe arritën në ishullin Mayyun me pamje nga Ngushtica Bab el-Mandeb.

