Ushtria e Jemenit e ka shpallur të enjten zonë ushtarake një territor përreth rrugës Taiz-Mokha, duke paralajmëruar civilët që të shmangin këtë rrugë deri në njoftimin e radhës, në mes të përshkallëzimit të luftimeve me grupin Huthi, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, zëdhënësi zyrtar i Forcave të Armatosura të Jemenit tha se ushtria do të përdorë “të gjitha armët në dispozicion dhe lloje të ndryshme të fuqisë së zjarrit” për të eliminuar çdo lëvizje ushtarake të Huthive brenda asaj që e përshkroi si “zonë vrasjeje”, e shënuar në një hartë të bashkëngjitur njoftimit.
Ushtria u bëri thirrje civilëve që të shmangin përdorimin e rrugës Taiz-Mokha deri në njoftimin e radhës dhe të qëndrojnë larg grumbullimeve të luftëtarëve Huthi dhe pajisjeve ushtarake.
Në deklaratë nuk specifikohej se kur do të nisin operacionet ushtarake në zonën e përcaktuar apo sa gjatë do të mbeten në fuqi kufizimet.

