RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ushtria izraelite sulmon filmin NAZA, distancohet nga krimet në Gaza

ushtria-izraelite-sulmon-filmin-naza,-distancohet-nga-krimet-ne-gaza

Ushtria izraelite ka hedhur poshtë mënyrën se si paraqiten operacionet e saj në filmin NAZA, i cili dokumenton masakrat izraelite në Rripin e Gazës dhe është përpjekur të distancohej nga gjenocidi ndaj palestinezëve, transmeton Anadolu.

Komentet shënuan reagimin e parë të ushtrisë ndaj filmit, me regji nga kineastët izraelitë fitues të çmimit Oscar, Yuval Abraham dhe Rachel Szor.

Filmi është përballur vazhdimisht me sulme nga zyrtarë të qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, e cila është përshkruar si qeveria më e djathtë në historinë e Izraelit.

Ushtria izraelite në një deklaratë tha se filmi paraqet një “pamje të shtrembëruar, mashtruese dhe larg realitetit” të mënyrës se si ajo planifikon dhe kryen sulmet ndaj objektivave.

Ajo tha se “narrativa e filmit bazohet në gabime themelore faktike”, si rezultat i një “paraqitjeje të shtrembëruar dhe manipuluese”.

“Inteligjenca artificiale nuk ka përzgjedhur kurrë në mënyrë të pavarur objektiva për t’u goditur. Identifikimi i objektivave kryhet ekskluzivisht nga oficerë të kualifikuar dhe të autorizuar të inteligjencës, ndërsa komandantët operacional marrin vendimet për goditjen e objektivave”, tha ushtria.

Ushtria gjithashtu pretendoi se “personat e intervistuar, të cilët kanë shërbyer në trupat e inteligjencës së ushtrisë, kryesisht i referohen fazave të kufizuara dhe paraprake të punës së inteligjencës dhe jo procesit shumë më të gjerë të planifikimit dhe miratimit të sulmeve”.

Filmi, i prodhuar nga The Guardian, mori vlerësime të gjera në Festivalin e Filmit në Venecia, ku publiku e duartrokiti për 25 minuta në këmbë, përpara se filmi të vlerësohej me Çmimin Special të Jurisë.

Abraham dhe Szor dolën në skenë për të pranuar çmimin, ndërsa Abraham foli për një fushatë shpifjesh kundër filmit të tyre në Izrael dhe për përpjekjet për të penguar publikimin e fakteve të paraqitura në të.

Titulli i filmit, NAZA, është një shkurtim i përdorur nga drejtoria e inteligjencës ushtarake izraelite Aman, për t’iu referuar numrit të civilëve që pritet të vriten gjatë një sulmi ajror.

Filmi u xhirua fshehurazi në çatitë e ndërtesave në Tel Aviv gjatë një periudhe trevjeçare, ndërsa identitetet, zërat dhe tiparet e fytyrave të pjesëmarrësve u ndryshuan në mënyrë digjitale për të mbrojtur sigurinë e tyre.

Pjesëmarrësit në film përshkruan sistemet e mbikëqyrjes të përdorura në sulmet izraelite dhe operacionet e bombardimeve me rreze të gjatë.

Sipas filmit, disa prej personave të intervistuar kishin punuar në një njësi sekrete të inteligjencës që raportonte drejtpërdrejt te kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Netanyahu është në kërkim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare që nga viti 2024, për shkak të akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj palestinezëve gjatë luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, e cila filloi në tetor 2023.

Related posts

TIKA ndihmon prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit me pajisje bujqësore në Pejë

Muhamet Ramadani

Rruga Istiklal në Stamboll, përsëri e hapur për këmbësorët

admin

Dërgohet në mbajtje i dyshuari për plagosjen e dy personave në Shtërpcë, i konfiskohet dhe një revole

admin