Forcat e ushtrisë sudaneze zmbrapsën një sulm nga Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) dhe Lëvizja aleate për Çlirimin e Popullit të Sudanit (SPLM) në qytetin Qaisan në shtetin e Nilit të Kaltër pranë kufirit me Etiopinë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, guvernatori i Qaisanit tha se sulmi kishte në shënjestër fermerët gjatë korrjes, duke e quajtur atë “një krim lufte të plotë”. Nuk ka ende asnjë informacion lidhur me viktimat dhe nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga RSF-ja mbi raportin.
Më 10 korrik, ushtria sudaneze tha se forcat e saj kishin zmbrapsur një sulm në zonat e Deim Saad dhe Yara në provincën Qaisan.
Ushtria sudaneze kontrollon pjesë të mëdha të shtetit të Nilit të Kaltër ndërsa SPLM ka luftuar kundër qeverisë që nga viti 2011, duke kërkuar autonomi për rajonet e Kordofanit të Jugut dhe të Nilit të Kaltër.
Që nga prilli i vitit 2023, RSF-ja ka luftuar kundër ushtrisë sudaneze për një mosmarrëveshje rreth integrimit të saj në ushtri, një konflikt që ka vrarë dhjetëra mijëra, ka zhvendosur 13 milionë njerëz dhe ka shkaktuar zi buke në një nga krizat më të këqija humanitare në botë.

