RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Vajza e paralizuar nga predhat, mbeti edhe pa prindër

vajza-e-paralizuar-nga-predhat,-mbeti-edhe-pa-prinder

Rreth orës katër të mëngjesit, teksa po zhvillohej java e dytë e bombardimeve të Izraelit ndaj Gazës, Yasmeen Joudah u zgjua nga cingërima e telefonit të saj. E shtangur, ajo kuptoi se njerëzit po e telefononin për t’i shprehur ngushëllimet e tyre për vdekjen e të gjithë familjes së saj.

E tmerruar, para agimit ajo vrapoi nëpër rrugët e Gazës deri në vendin ku dikur ndodhej shtëpia e prindërve të saj dhe u hodh mbi rrënoja, duke gërryer me duar betonin e copëtuar.

Familja Joudah kishin qenë në gjumë kur një raketë izraelite goditi shtëpinë e tyre katërkatëshe, duke ngujuar dhjetëra prej tyre nën rrënoja.

Yasmeen shikoi përreth e pafuqishme derisa trupat e familjarëve të saj nxirreshin nga rrënojat.

Pas ca kohësh, Melissa, 16-muajshe, vajza e motrës së saj, e cila sapo kishte filluar të ecte, u tërhoq jashtë rrënojave. Të gjithë supozuan se ajo kishte vdekur.

Copëzat metalike nga sulmi ajror izraelit kishin goditur Melissën në palcën kurrizore, duke e paralizuar atë nga gjoksi e poshtë.

Javë më vonë, pikëllimi i Yasmeenit vërehet në zërin e saj, e lotët i derdhen në fytyrë.

“Të gjithë kanë vdekur”, tha Yasmeen, e cila gjendej në Spitalin e Martirëve Al-Aqsa. “Të pesë vëllezërit e motrat e mia u vranë. Nëna ime. Dy tezet e mia. Vajzat e tyre, djemtë e tyre. Kunati. Unë dua që ata të kthehen. M’i ktheni përsëri tek unë”, qante ajo.

Nga familja e saj e ngushtë, Yasmeen numëroi 32 anëtarë të vrarë, shumica prej tyre gra. Babai i Melissës, prindërit e saj, motrat dhe fëmijët e tyre u vranë gjithashtu, duke e çuar totalin në 68 anëtarë të familjes Joudah.

Jeta e shkatërruar e Melissës

Melissa ka nevojë urgjente për trajtim mjekësor jashtë vendit, sipas drejtorit të Departamentit ortopedik në Spitalin e Martirëve Al-Aqsa.

“Ajo ka copa të shumta metalike të ngulitura në rruazën T12, si dhe fraktura në palcën kurrizore”, tha dr. Ayman Harb. Fatkeqësisht, sipas tij, kjo do të thotë se ajo nuk mund të përdorë ekstremitetet e saj të poshtme.

“Vajza e vogël është fizikisht e qëndrueshme, në kuptimin që është e paralizuar nga gjoksi e poshtë. Por fizioterapia dhe mbështetja morale duhet të jenë hapi tjetër”.

Dr. Harb bëri të ditur se për shkak se copëzat metalike nuk mund të hiqen nga trupi i Melissas, ajo mund të jetë në rrezik të infeksioneve dhe komplikimeve, të cilat nga ana tjetër mund të çojnë në dështim të shumëfishtë të organeve.

“Ne po punojmë me raste që nuk i kemi parë kurrë në librat tanë mjekësorë”, tha ai, duke shtuar se, deri më tani, ai ka pasur 12 pacientë të cilët janë paralizuar nga sulmet izraelite.

I pyetur për shanset e Melissës, dr. Harb ishte pesimist.

“E ardhmja e saj do të jetë një e ardhme me vuajtje”, tha ai troç. “Ajo do të kalojë pjesën tjetër të jetës së saj në një karrige me rrota”.

Spitali mezi funksionon me gjeneratorë me energji diellore dhe i mungojnë shumë furnizime dhe personeli mjekësor.

Spitali Al-Aqsa nuk është një spital i madh qendror si spitali Al-Shifa në qytetin e Gazës, i cili aktualisht është nën sulm nga ushtria izraelite. Është ndërtuar për t’i shërbyer vetëm qytetit Deir el-Balah dhe ka vetëm 16 mjekë.

Pavarësisht kësaj, për shkak të ofensivës së vazhdueshme, numri i pacientëve është rritur dhe personelit i është dashur të trajtojë shumë herë më shumë pacientë sesa kapaciteti i spitalit.

“Ne nuk kemi kohë për të qarë kur shohim pacientë, jeta e të cilëve është shkatërruar”, tha dr. Harb. “Çdo ditë ne operojmë nga 30 raste të rënda, plus 15 më të lehta nga ora 08:00 deri në 03:00”.

“Gjithçka që më ka mbetur”

Nëna e Melissës kishte qenë shtatzënë në muajin e nëntë. Associated Press raportoi se ajo kishte nisur procesin e lindjes gjatë sulmit dhe u gjet e vdekur nën rrënoja, me kokat e binjakëve të saj të pajetë që veçse kishin filluar të dilnin nga kanali i saj i lindjes.

Ofensiva izraelite ka lënë të vrarë më shumë se 11 mijë palestinezë, 8 mijë prej tyre fëmijë dhe gra. Meqenëse sulmet izraelite ndaj spitaleve në Rripin verior të Gazës janë intensifikuar, duke çuar në kolapsin e shërbimeve dhe komunikimeve, numri i të vdekurve nuk u përditësua për të premten dhe të shtunën.

Sipas Ismail Thawabta, drejtori i përgjithshëm i zyrës qeveritare për media, 11.180 palestinezë, përfshirë 4.607 fëmijë, janë vrarë deri më tani.

Më shumë se 3 mijë njerëz mbetën nën rrënoja, duke përfshirë 1700 fëmijë, shtoi ai, duke folur në një konferencë për shtyp të dielën.

Melissa, e cila tani është në shtëpi me tezen e saj Yasmeen në Deir el-Balah, po pret të marrë miratimin për t’u larguar nga Gaza përmes pikës kufitare Rafah, për të marrë trajtim të mëtejshëm mjekësor.

“Ajo është gjithçka që më ka mbetur”, tha Yasmeen.

Ajo ka edhe një dëshirë tjetër.

“Dua që Melissa të ecë. Nuk e di se si do të jetojë”.

Përktheu: Forca Jashari /koha

Related posts

Erdoğan: Turqia nuk do të tërhiqet nga Siria, kërcënimi terrorist vazhdon

admin

Presidenti Erdoğan mbërrin në Republikën Turke të Qipros Veriore

admin

Për 10 vjet, Shqipëria ka 400 mijë banorë më pak

RTI