RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Vakëfet si institucione fetare, kulturo-arsimore dhe humanitare

vakefet-si-institucione-fetare,-kulturo-arsimore-dhe-humanitare

Zhvillimi i kulturës dhe fesë islame në Gadishullin Ballkanik është i lidhur ngushtë me ardhjen e turqve osmanlinj në Ballkan nga gjysma e dytë e shekullit 14 deri në fillim të shekullit 16. Osmanlinjtë që nga fillimi kanë vendosur sistem të ri të udhëheqjes dhe vlera të reja. Me ardhjen e tyre, janë bërë ndryshime të mëdha në mënyrën dhe kuptimin e jetesës, sidomos me përhapjen e fesë dhe kulturës Islame.
Ndërtimi i shumë objekteve fetare islame dhe kulturo-arsimore në mënyrë direkte është i lidhur me institucionet e vakëfeve, të cilat kanë luajtur rol të madh në zhvillimin kulturo-fetar të popullatës muslimane deri në fund të sundimit osman. Një pjesë e madhe nga të ardhurat e vakëfeve është investuar në ndërtimin e institucioneve arsimore, medreseve dhe mektebeve, etj.(1)
Për këtë arsye nuk është e mundur të studiohet asnjë aspekt i marrëdhënieve shoqërore të përfaqësuara në jetën ekonomiko-shoqëror, politike dhe sociale posaçërisht në aspektin fetar, moral, kulturor-arsimor si dhe zhvillimin njerëzor të shoqërisë osmane, ku vakëfet të mos jenë dhe të mos kenë ndikuar e luajtur rol të madh duke ndikuar në ndryshime të mëdha pozitive.
Për zgjerimin e arsimit dhe kulturës nga ana e vakëfeve ishin formuar shkolla, biblioteka dhe salla leximi me karakter të ndryshëm.
Formimi i institucionit të vakëfit në Botën Islame është i ndërlidhur drejtpërdrejt me paraqitjen e Muhamedit a.s. dhe predikimit të tij të filozofisë dhe fesë islame. Sipas kësaj, mësimi islam që nga fillimi vepron sipas shembujve dhe veprimeve të Profetit gjatë jetës së tij. Shembuj të shumtë të ngjashëm me këtë institucion dhe themelimin e tij në Botën Islame gjejmë në traditën islame (Hadithin) dhe shpjegimet e tij (Synet) të mbështetura në realizimin praktik të së drejtës dhe normave të Sheriatit që përmban Kur’ani i shenjtë. Edhe vetë Muhamedi a.s. me shembullin personal, orientonte pasuesit e tij të themelonin vakëfe, një veprim që shpjegonte kështu: “Ju nuk do ta arrini bekimin e Zotit derisa të mos jepni lëmoshë nga ajo që e keni më të vlefshmen”.(2)
Mirëpo, në përkufizimin objektiv të vakëfit si formë e institucionit hyjnë edhe disa elemente të cilat në mënyrë përbërëse përcaktojnë karakterin e tij të përgjithshëm, rolin e posaçëm dhe të përgjithshëm ekonomik, rolin ekonomiko-shoqëror e politik dhe aspekti kulturo-arsimor. Edhe vetë momenti fillestar i termit vakëfnim (përkushtim) logjikisht do të thotë dhënie e betimit dhe gatishmërisë, përmes së cilës një person është i gatshëm të posedojë dhe të japë pronën e vet në favor të interesit shoqëror në drejtim të zhvillimit të Islamit dhe mirëmbajtjes së objekteve fetare, kulturo-arsimore dhe profane.(3)
Termi “vakëf” i cili rrjedh nga fjala arabe “vakf”, etimologjikisht do të thotë ndalim, ndalje, ndërsa nga përmbajtja “vakëfnim” (përkushtim) i pronës. Do të thotë, të ndalohet dhe të hidhet jashtë qarkullimit, ndërsa të ardhurat e asaj prone të shfrytëzohen për qëllime humanitare-bamirëse”.(4) Prej këtu rrjedh edhe përcaktimi se vakëfet para së gjithash paraqesin përkushtime fetare po njëkohësisht edhe të mira materiale, që “vakëfuesi në bazë të dëshirës së tij të lirë i ndan nga pasuria e tij dhe ia jep në “pronë“ Zotit, e të ardhurat nga ajo pronë u ngelin njerëzve”.(5)
Studimi i problematikës së vakëfeve nxjerr edhe shumë çështje të tjera, të ndërlidhura me aktivitetin e tyre gjatë ekzistimit të tyre, sepse asnjë institucion në cilindo religjion nuk ka luajtur një rol të tillë sikur që kanë luajtur “vakëfet” në Islam. Nga këtu del edhe konstatimi se me gjithë sa u tha më lart, pa ekzistimin e vakëfeve, nuk mund të imagjinohej “tregtia e atëhershme me anë të karvansarajeve dhe haneve, magazat e ndryshme, torishtat etj. Të gjitha këto janë të themeluara përmes vakëfeve”.(6)
Duke pasur parasysh të gjitha aspektet e funksionimit të vakëfeve dhe rolin e tyre në jetën ekonomiko-shoqërore dhe elementet socialo-humane që gërshetohen në të, duhet të studiohet prejardhja, zanafilla dhe zhvillimi i vakëfeve jo vetëm si institucion thjesht fetar, por të studiohen të gjitha aspektet e vakëfeve, ai fetar, arsimor, ekonomik, shoqëror, human etj. Kështu do të hidhej dritë në jetën e përditshme të shumë shtresave të njerëzve, historikut të institucioneve të ndryshme ekonomike e sociale, kulturore, arsimore, marrëdhënieve juridike, shoqërore etj.(7)
Në periudhën osmane institucioni i vakëfit mund të formohej nga cilado pronë private-mulk, gjatë formimit të të cilit synim ishte ndërtimi, përkrahja dhe financimi i aktiviteteve të ndryshme religjioze, kulturo-arsimore dhe humanitare.
Të shumtën vakëfoheshin këto objekte: xhamitë, mesxhidet, teqetë, mektebet, medresetë, karvansarajet, bibliotekat etj. Për secilin vakëf, vakëfuesi në vakëfname përcaktonte se cila pjesë e të ardhurave të vakëfit dhe sa do të përdorej për realizimin e qëllimeve të caktuara apo renovimin e objekteve të vakëfit, si dhe përcaktimin e sasisë së produkteve ushqimore që do të harxhoheshin për një ditë etj.(8)
Gjatë krijimit të vakëfnamesë, vakëfuesi përcaktonte edhe shumën, respektivisht sa akçe duhej të paguheshin në ditë për çdo funksionar në vakëf, varësisht nga puna dhe rëndësia e pozitës së tyre.(9)
Shikuar në tërësi, me ardhjen e osmanlinjve në Gadishullin Ballkanik, pra edhe në Maqedoni, në radhë të parë ata filluan ndërtimin e objekteve fetare, ndër të cilat më të shumta ishin xhamitë. Paralelisht me to, më shumë dalloheshin vakëfet e mëdha të sulltanëve e vezirëve, të ashtuquajturat “Imarete”, të cilat nga baza ishin objekte komplekse dhe në vete përmbanin xhami, medrese dhe karvansaraj, ku bënin pjesë edhe një numër i caktuar i dhomave për klasat e medresesë, dhe objekte të ngjashme.(10)
Në kohën e sundimit osmano-turk në Ballkan dhe Maqedoni një numër jo i vogël i objekteve vakëfnore janë ndërtuar për zgjerimin e arsimit dhe kulturës mes popullatës muslimane. Arsimimi dhe mësimi i shkencës paraqitnin obligim fetar të të gjithë muslimanëve dhe kjo ishte një ndër veprat e admirueshme. Për këtë arsye ishin hapur më së shumti shkolla fillore dhe të mesme.
Në shkollat fillore-mektebet, mësohej: shkrimi arab, leximi i Kur’anit, feja dhe lëndë të tjera mësimore. Shkollat e mesme-medresetë ishin institucione të cilat pregatitnin kuadro për arsim të mesëm, kuadro për funksionarë fetarë, imamë, mësues, etj.
Në shkollat e mesme mësoheshin gjuha arabe, ajo persiane e ajo turke, komentet e Kur’anit, pastaj tradita islame dhe lëndë të tjera si: dogmatika, apologjetika, shkenca e fesë, e drejta e Sheriatit, dhe historia islame.(11)
Cilat lëndë dhe sa do të mësoheshin, rëndom vendosej në vakëfname nga ana e vakëfuesve, të cilët, varësisht nga pozita që kishin apo nga koha kur jetonin, përcaktonin lëndët dhe disiplinat për të cilat mendonin se do t’i shërbenin përparimit të Islamit, dhe posaçërisht ruajtjes së ekzistencës materiale të vakëfit. Kështu për shembull, në një akt të Isa Beut të Shkupit, viti 1419, shkruante se cilat lëndë do të mësoheshin në medresenë e tij, respektivisht cilat nuk do të mësoheshin.(12)
Është me interes të përmenden edhe bibliotekat e vakëfeve, të cilat kanë luajtur një rol mjaft të madh për arsimimin e muslimanëve. Për formimin dhe zgjerimin e tyre që gjatë krijimit të vakëfnameve nga ana e vakëfuesit ndaheshin mjete financiare a objekte për këto qëllime. Jo rrallë bibliotekat formoheshin nga dhurimi i ndonjë fondi të caktuar librash shkencorë dhe shkollorë.(13)
Në lidhje me karakteristikat e përmendura më lart, të cilat kanë të bëjnë me kushtet ekonomiko-kulturore dhe religjioze në kohën e sundimit osman në Ballkan dhe ndikimin e tyre në Botën Islame, karakteristikë e vakëfeve është se ato kanë të bëjnë edhe me aspektin human të vakëfeve si forma të institucioneve shoqëroro-ekonomike, sociale dhe fetaro-arsimore. Përmbushja e qëllimeve të tyre humanitare ishte e garantuar rreptësisht nga ana e së drejtës islame, respektivisht se prona e vakëfuar dhe të ardhurat nga vakëfi do t’i shfrytëzonin pa kushtëzime edhe të varfrit edhe anëtarët pa pronë të komunitetit islam.(14)
Një lloj tjetër i ndihmës humanitare dhe dhënies së lëmoshës, ishte edhe ndihma nxënësve, të cilët duhej më pastaj t’i përkushtoheshin zhvillimit dhe zgjerimit të fesë islame. Për to vakëfuesit përveç formave të ndryshme të ndihmës, parashihnin sigurimin edhe të banesës falas në dhomat e medresesë, dhe ushqimin falas. Gjithashtu nxënësve, sipas kushteve u jepeshin edhe libra falas dhe ndihmë e caktuar financiare, siç theksohet në vakëfnamenë e Is’hak beut për nxënësit e Alaxha xhamisë në Shkup në vitin 1445.(15)
Në shekujt e parë të sundimit osman në Maqedoni, përveç ndërtimit të xhamive dhe teqeve, u krijuan edhe imarete, musafirhane, karvansaraje, bezistanë, medrese, hamame, hane etj. Ato çmoheshin sipas suksesit “për civilizimin islam, i cili shumë shpejt përfshin qytetet, duke i bërë ato qendra të urbanizmit oriental me elemente deri atëherë të panjohura, që solli një hapje të qytetit drejt fshatrave përreth, me se kullat dhe muret mbrojtëse humbën vlerën e tyre të dikurshme”.(16)
Ndër objektet më të njohura vakëfnore ishin imaretet, të cilat përbënin një lloj prone vakëfnore të themeluara më shumë nga sulltanët dhe njerëz të njohur në Perandori; në to jepej ushqim falas për të varfrit, udhëtarët, tregtarët, nxënës dhe njerëz që ishin funksionarë të vakëfit. Për këto objekte hasim shpesh të dhëna nëpër vakëfname, ku vakëfuesit përcaktojnë sasinë e ushqimit që do të jepej në ditë, çfarë ushqimi dhe kush do të ushqehej.(17)
Të ngjashme me imaretet ishin edhe mysafirhanet, që ishin ndërtesa ku strehoheshin njerëz. Dhuruesit e vakëfit-vakëfuesit, parashikonin që secili udhëtar që do të kalonte përreth vakëfit, të kishte të drejtë ushqimi dhe strehimi për një kohë të caktuar. Varësisht nga mundësitë financiare të vakëfit, ndonjëherë jepej ushqim dhe strehim, e diku vetëm strehim për udhëtarët e varfër, haxhinjtë dhe njerëzit të fesë islame dhe shkencës.(18)
Ndër aktivitetet humane të vakëfeve hynte edhe ndihmesa e njerëzve që kishin borxhe. Ky akt shtetëror-juridik tek osmanlinjtë është mbartur nga arabët dhe kishte gjetur përdorim masiv në trevat tona dhe më gjerë në Ballkan.(19)
Sipas parimeve të Kur’anit, muslimanëve u rekomandohej t’i mbronin borxhlinjtë, respektivisht rekomandohej të respektoheshin ata njerëz që në njëfarë mënyre ishin gjetur në borxhe, “ndërsa ata që kishin dhënë borxh, ta pritnin borxhliun ose t’ia falnin borxhin nëse ishte në gjendje të rëndë materiale”.(20)
Në disa pjesë të Kur’anit bile edhe rekomandohet që borxhlinjtë të ndihmohen, respektivisht dhënësi i borxhit të mos ketë mundësi që t’i paditë apo dënojë për borxhin vetvetiu, pa leje të përparshme dhe vendim të Kadiut.
Zhvillimi i vakëfeve në trevat tona në periudhën e sundimit osmano-turk ka kaluar disa faza historike dhe ndryshime.
Faza e parë është ajo nga fillimi i shekullit XV, kur u paraqitën vakëfet e para si forma të organizuara të institucioneve sociale-shoqërore. Ato, sipas kushteve të tyre, kishin karakter fetar, human, kulturo-arsimor, shoqëror etj., dhe menjëherë pas kësaj fituan edhe elemente specifike ekonomike, për arsye të ndryshimeve ushtarako-politike dhe ndodhive në këto treva, si pjesë përbërëse e Perandorisë Osmane.
Vakëfet, në kuadër të të gjitha llojeve të ndryshme që u formuan dhe ekzistonin si të tilla, ishin formuar për shkak të nevojave të ndryshme jetësore, ndërsa më së shumti për rregullimin e nevojave fetare të popullatës muslimane: ndërtimi i xhamive, mesxhideve, shkollave fetare për mësimin e Kur’anit dhe të bibliotekave, etj. Përveç kësaj vakëfet ndërtoheshin gjithashtu edhe për përmbushjen e nevojave sociale dhe nevojave të tjera, dhe njëkohësisht për zbutjen e kundërthënieve mes të pasurve dhe rajës së varfër përmes ndërtimit dhe më vonë vakëfnimit të bujtinave publike, kuzhinave për udhëtarë dhe tregtarë, në të cilat mund të pranoheshin pa pagesë edhe të varfër, nxënës, studentë, pastaj ndërtimi i ujësjellësve, çeshmeve publike, rrugëve, urave etj. Nuk ishin të rralla rastet kur vakëfet shfrytëzoheshin për ndërtimin e objekteve ekonomike, siç ishin: imaretet, hanet, hamamet, tregjet dhe qendrat tregtare e zejtare e dyqane.
Pas përfundimit të sundimit osman në këto troje, në vitin 1912, vakëfet u lanë në mëshirën e kohës dhe moskujdesin e shteteve të ndryshme që pushtuan këto troje.
Sipas asaj që u tha më lart, vakëfet luajtën rolin e tyre në ngritjen kulturo-arsimore dhe në përgjithësi ekonomiko-shoqërore të popullatës muslimane në këto troje. Ato në zenitin e tyre (shek. 14-16), arritën kulmin në afirmimin dhe zhvillimin e arsimit dhe kulturës islame edhe jashtë këtyre trevave. Medresetë e njohura të këtyre anëve, si ajo e Isa beut e Shkupit, kanë luajtur rol të rëndësishëm në formimin e kuadrove arsimore dhe u bënë shtylla të arsimit në këto troje e më gjerë.
Me rënien e vakëfeve dhe kujdesit ndaj tyre në periudhën e mëvonshme, do të binte edhe shkalla e arsimit në përgjithësi tek popullata muslimane.

__________________________
1 Ahmet Sherif, Pasuria e nëpunësve muslimanë në institucionet islame në Shkup në vitet 1844/1845, Shkup 2003, 5-7.
2 Kurani, III, 92.
3 Abduselam I. Balagija, Uloga vakufa u verskom i svetovnom prosve?ivanju naših muslimana, Beograd, 1933, 8.
4 A. I. Balagija, Uloga,…8. 5 A. I. Balagija, Uloga,…8.
6 Hasan Kaleši, Najstariji vakufski dokumenti u Jugoslaviji na arapskom jeziku, Priština, 1972, 14.
7 H.Kaleshi, Najstariji vakufski,…14.
8 G. Elezovi?, Turski spomenici u Skopju, 1925,…54.
9 Hasan Kaleši i Mehmed Mehmedovski, Tri vakafnami na Ka?anikli Mehmed Paša, Skopje, 1958, 73.
10 Halil Inalxhik, Perandoria Osmane, Shkup, 1995, 239-249.
11 M.Begovi?, Vakufi,…29.
12 G.Elezovi?, Turski spomenici,…118.
13 G.Elezovi?, Turski spomenici,…98.
14 Halil Inalxhik, Perandoria Osmane, Shkup, 1995, 239-249.
15 G.Elezovi?, Turski spomenici,…460-461.
16 A. Matkovski, Novite institucii i odnosi što turcite gi sozdadoa na Balkanot i vo Makedonija, MANU, Prilozi, XII/2, Skopje, 1986, 65.
17 G.Elezovi?, Turski spomenici,…467-470.
18 G.Elezovi?, Turski spomenici,…471.
19 Manastir sixhili, Shkup, Instituti Historik Nacional i Maqedonisë
20 M.Begovi?, Vakufi,…36.

Dr. Ahmet Sherif

 

/islamgjakova

Related posts

Gjermani, policia ndërhyn ashpër ndaj protestuesve pro Palestinës

admin6

Palestina: Izraeli po kryen gjenocid kundër popullit tonë në Gaza

admin

Rrugët në veri vazhdojnë të jenë të bllokuara, situata aktualisht është e qetë

admin