Zyrtarë të shumtë të Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës janë parë sot në disa prej lagjeve të Prishtinës.
Të njëjtit janë duke kryer bastisje të shumta në disa prej shtëpive të njohura në kryeqytet.
E këto bastisje lidhen pikërisht më rastin e njohur si “Brezovica”.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net edhe nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Kelani ka deklaruar se ka të bëjë me operacionin policor “Brezovica 6”.
“Policia e Kosovës konfirmon se në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë ka vazhduar realizimin e operacionit policor “Brezovica 6”, ku informacionet dhe detajet rreth këtij operacioni do të bëhen të ditura pas përfundimit”,tha ai.
Ndryshe prokurori përgjegjës mëngjesin e sotëm ka deklaruar se deri tani janë shtatë persona të arrestuar, si dhe janë konfiskuare dhe disa vetura.
Në kuadër të rastit të njohur si “Brezovica”, deri më sot në burgje janë 30 persona të dyshimtë.
Në mesin e këtyre 30 persona janë edhe shumë zyrtarë shtetërorë, të cilët dyshohet të jenë përfshirë në ndërtimet e 500 vilave e hoteleve në zonën e mbrojtur të maleve.
Aksioni i sotëm është realizuar krejtësisht në lagjen “Velania”.