RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Vdes “kasapi i Srebrenicës” në emër të kryqit ortodoks

vdes-“kasapi-i-srebrenices”-ne-emer-te-kryqit-ortodoks

Ratko Mlladiç, fundi i një jete të shënuar nga krimi dhe genocidi

Ratko Mladić ka vdekur sot në moshën 84-vjeçare, në Hagë, aty ku kaloi vitet e fundit të jetës duke vuajtur dënimin e përjetshëm për genocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Vdekja e tij mbyll jetën e njërit prej figurave më famëkeqe të luftërave të përgjakshme të ish-Jugosllavisë, por nuk mbyll plagët që lanë pas ai dhe forcat nën komandën e tij.

Mladić nuk ishte thjesht një gjeneral që u përfshi në një luftë. Ai ishte një nga njerëzit që e kthyen luftën në një makineri terrori kundër civilëve.

Në korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës nën komandën e tij kryen masakrën e Srebrenicës, ku u vranë më shumë se tetë mijë burra dhe djem boshnjakë. Gjykata e Hagës e shpalli fajtor për genocid.

Emri i tij lidhet gjithashtu me rrethimin e Sarajevës, një nga kapitujt më të errët të luftës së Bosnjës. Për vite me radhë, ndërsa viktimat varroseshin dhe familjet kërkonin të zhdukurit, Mladić jetoi jashtë burgut.

Arriti t’i shmangej drejtësisë për 16 vjet dhe u arrestua vetëm në vitin 2011, në Serbi. Por drejtësia, edhe pse e vonuar, erdhi. Në vitin 2017 ai u dënua me burgim të përjetshëm dhe në vitin 2021 dënimi u konfirmua përfundimisht.

Nuk ishte një gjykim i historisë sipas interpretimeve politike, por një vendim gjykate mbi përgjegjësinë penale të një komandanti për krimet më të rënda.

Prandaj vdekja e Mladićit nuk është një histori për lavdinë e një “gjenerali serb”. Është fundi i një njeriu që e ndërtoi autoritetin mbi frikën, urrejtjen dhe dhunën dhe që përfundoi i dënuar si kriminel lufte.

Uniforma nuk e shndërroi në hero. Gradat nuk ia fshinë krimet. Propaganda nuk mundi ta mposhtte provën e gjykatës. Ai vdiq pas hekurave, ndërsa mijëra viktima të tij nuk patën mundësinë të plakeshin, të shihnin fëmijët e tyre të rriteshin apo të jetonin një jetë normale.

Dhe kjo është ndoshta trashëgimia më e hidhur e emrit Ratko Mladić. Jo ajo që pretenduan mbështetësit e tij, por kujtimi i një krimineli të dënuar, emri i të cilit do të mbetet përgjithmonë i lidhur me Srebrenicën dhe me një nga faqet më të turpshme të historisë së Evropës moderne.

Vdekja mund t’i japë fund jetës së një njeriu por s’mund t’i japë fund përgjegjësisë së tij. tesheshi

Related posts

Kolonët izraelitë hyjnë sërish në kompleksin e Al-Aksasë

admin

Ministri izraelit i Mbrojtjes kërcënon me shkatërrimin e Bejrutit ngjashëm si Gazën

admin

Greqi, paralajmërim për rrezik zjarresh në pyje

admin