E vërtetuar tashmë, në çdo sektor e nivel: pushtet që i gjen njeriut punën e jo punës njeriun(!!!)
“Do i gjejmë punës njeriun dhe jo njeriut punën”, ishte ky ndër premtimet e bujshme të Edi Ramës para se të vij në pushtet. Dhe sic çdo premtim tjetër, edhe ky përfundoi në kosh në kushte pushteti. Qeverisja e tij është provuar se e ka zbuar profesionistin e vërtetë, duke zgjedhur thjesht partiakun në vend të tij.
Dhe mjaft që të lexoni më poshtë postimin e një specialist anti-zjarr për ta vërtetuar këtë realitet. Pasi ta lexoni, vjen natyrshëm pyetja: a është ky njeri i angazhuar me zjarret. Jo, nuk është. Dhe flitet pikërisht për arsye politike.
Lexojeni. Quhet Hasan Cani dhe siç duket, nuk i ka mbetur që ta japë kontributin e vet vetëm teorikisht në FB. Nga ajo që shkruan, duhej të ishte njeriu kryesor i anti-zjarrit në Shqipëri.
“Nëse i referohemi zjarrit të fundit në Krujë, sidomos në zonën e kurorës historike/turistike, çështja duhet parë jo vetëm si një emergjencë zjarrfikëse, por si dështim i mundshëm i sistemit të vrojtim sinjalizimit, parandalimit, menaxhimit të territorit dhe mbrojtjes së trashëgimisë natyrore me vlera te jashtezakonshme për brezat. ( Plani në nivel Kombetarë)
Çfarë DUHEJ të ishte bërë përpara se të ndodhte zjarri?
Masa vrojtim sinjalizimi parandalimi në territor.
Ku duhet të kete:
* hartë të detajuar të zonave me rrezik zjarri sipss shkallës së rrezikut (kritike) rreth qytetit dhe më gjere;
* pika vrojtimi sinjalizimi 24/7 me logjistikën e domosdoshme emergjente.
* pastrim periodik të vegjetacionit të thatë, shkurreve dhe materialeve të djegshme;
* korridore/ breza mbrojtës nga zjarri rreth zonave të banuara;
* rrugë funksionale për hyrjen e mjeteve zjarrfikëse;
* pika uji/hidrantë dhe rezervuarë strategjikë;
* kontroll të linjave elektrike, mbetjeve dhe burimeve të tjera potenciale të ndezjes;
* plan të posaçëm për mbrojtjen e zonave urbane dhe historike;
* ushtrime periodike me grupet zjarrfikësit.
Qeveria qendrore – nuk mjafton të dërgohen vetëm zjarrfikës ushtarë, policë pasi fillon zjarri dhe kur ka marrë në përmasa té frikëshme.
Qeveria duhej të kete të ngritur organizuar dhe funksional një sistem kombëtar që para sezonit të zjarreve ku të ketë përcaktuar:
Rrezik → monitorim → alarm i hershëm → ndërhyrje e shpejtë → mbështetje ajrore → evakuim → mbrojtje e objekteve kritike.
Kruja për vetë rendesinë dhe pozitë gjeografike duhet klasifikuar si zonë me rrezik të veçantë, për shkak të kombinimit:
Pyje halor pyje/shkurre terren malor erë ndërtime turizëm trashëgimi kulturore dendësi njerëzish.
Duhet të ekzistojë një sistem vrojtimi sinjalizimi 24/7
Në ditët me rrezik të lartë:
* kamera termike;
* dronë;
* pika vrojtimi;
* patrulla tokësore;
* informacion meteorologjik në kohë reale;
* përcaktim i indeksit ditor të rrezikut nga zjarri.
Kjo nuk është teori. Vetë Policia e Shtetit ka përdorur në Krujë në vitin 2026 dronë dhe kontrolle territoriale në shkallë të gjerë, duke treguar se teknologjia e monitorimit mund të aplikohet në territor.
Mbrojtja e kurorës së qytetit, për vetë rëndësinë dhe pozitën gjeografike duhej të ishte projektuar si një “Qytet i Sigurt nga Zjarri”
Kjo është pika më e rëndësishme.
Nuk duhet të presim që zjarri të hyjë në qytet.
Duhet të krijohet një unazë mbrojtëse kundër zjarrit.
Për shembull:
Pyje/halor → Pyje/shkurre → brez i menaxhuar → rrugë zjarrfikëse → brez i pastruar → qytet → zonë historike.
Në pjesët më kritike duhet të ndërtohen dhe përdoren:
* breza me gjeresi 10–30 m, sipas terrenit dhe vegjetacionit;
* rrugë zjarrfikëse;
* pika uji për furnizim;
* rezervuarë me ujë;
* zona me vegjetacion me ngarkesë të ulët djegëse;
* krasitje dhe rrallime sipas strukturës së grumbullit pyjor;
* heqje e grumbullim i materialit të thatë në breza ose togje;
* menaxhim i bimësisë nën kurorën e drurëve
Për një qytet turistik si Kruja duhej të ketë edhe “Plan Evakuimi nga Zjarri”
Ky plan duhet të përcaktojë paraprakisht:
* cilat rrugë mbyllen;
* cilat rrugë përdoren për evakuim;
* ku grumbullohen turistët;
* ku vendosen banorët;
* si evakuohen personat me aftësi të kufizuara;
* si mbrohen muzetë dhe objektet historike;
* si ndalohet hyrja e turistëve në zonën e rrezikut;
* kush merr komandën e operacionit.
Por ka edhe një çështje shumë më të madhe dhe të rëndësishme.
Nëse një zjarr arrin të djegë kurorën e një qyteti historik e turistik si Kruja, nuk duhet të bëhet vetëm pyetja:
“Kush e ndezi zjarrin?”
Duhet të bëhen edhe këto pyetje:
Pse zjarri u lejua të përhapej?
A ekzistonte harta e rrezikut?
A ishin në funksionim grupet e vrojtim sinjalizimit?
A ishin krijuar dhe pastruar brezat mbrojtës?
A kishte rrugë zjarrfikëse?
A kishte ujë të mjaftueshëm?
Kur u dha sinjali dhe alarmi i parë?
Sa minuta kaluan deri në ndërhyrje?
A u përdorën dronë?
A kërkohej ndërhyrje ajrore dhe kur u kërkua?
A kishte plan të posaçëm për mbrojtjen e zonës përrreth qytetit dhe zonës urbane, historike?
A ishte bërë stërvitje para sezonit të zjarreve?
Këto janë pyetje që mund të përcaktojnë nëse kemi pasur vetëm një fatkeqësi natyrore/aksidentale, apo edhe dështim institucional në vrojtim sinjalizim parandalim dhe menaxhim.
Kjo do të ishte shumë më e dobishme sesa thjesht të fajësohet zjarri ose autori pasi katastrofa ka ndodhur”

