Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë temë diskutimi edhe në takimin në mes të presidentit amerikan Joe Biden dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen që u zhvillua në Uashington.
Ka qenë vetë zyrtarja evropiane që tha para gazetarëve pas takimit me presidentin amerikan se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin dialogun ndërmjet dy vendeve.
Ajo pranoi se nuk është e lehtë mirëpo ka ende shumë çështje që duhen zgjidhur.
“Ne e prekëm temën (e dialogut) shkurt. Është shumë e rëndësishme që dialogu Serbi-Kosovë të vazhdojë. Nuk është e lehtë. Ka ende shumë çështje për të zgjidhur, por është duke ecur në drejtimin e duhur, dialogu ka mbështetje të plotë nga të dyja palët tona”, tha ajo.
Të shtunën e 18 marsit do të ketë një tjetër takim të nivelit të lartë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
Në takimin e Ohrit pritet të diskutohet plani i BE-së për dialogun dhe aneksi për zbatimin e tij.
Presidentja e Komisionit Evropian duke aluduar në planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tha se është një plan i mirë ndërsa uroi që Kosova dhe Serbia të jenë palë konstruktive.
“Ka një plan të mirë në tryezë. Ekziston një udhërrëfyes, si të arrihet atje. Shpresojmë që të dyja të jenë shumë konstruktive”, tha Von der Leyen.
Takimi mes Biden dhe Von der Leyen është shfrytëzuar për të diskutuar edhe për çështje të sigurisë, me fokus të veçantë në agresionin rus në Ukrainë.