Vendi është tronditur nga një vrasje e trefishtë, e cila dyshohet se ka ndodhur brenda një familje në fshatin Rufc të Lipjanit, këtë të premte pasdite.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për Telegrafin se rreth orës 16:30 ka pranuar informatën për tre persona të pajetë në fshatin e sipërpërmendur.
Vdekja e tyre është konstatuar nga ana e ekipit mjekësor.
“Aktualisht policia ka nisur një hetim për rastin dhe rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
Ndërkaq, Telegrafi mëson se viktimat janë familjarë dhe se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri.
Sipas burimeve, babai dyshohet se ka vrarë gruan dhe djalin e tij, dhe pastaj ka kryer vetëvrasje.
Telegrafi ka provuar të kontaktojë edhe me Prokurorinë, por nga ky institucion nuk janë përgjigjur në telefonata.