Brohoritjet “Kosova, Kosova” nga ushtarët dhe kadetët amerikanë në West Point, gjatë vizitës së presidentes Vjosa Osmani, nuk i ka pritur mirë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq me të arritur në New York ku po mbahet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, iu drejtua mediave, duke folur për vizitën e Osmanit dhe për Ushtrinë e Kosovës.
Nga atje ai tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka personel të trajnuar mirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia dhe Turqia, por shtoi se “nuk e kërcënojnë Ushtrinë e Serbisë”.
Ai iu referua gjithashtu vizitës së kësaj jave të presidentes Vjosa Osmani në akademinë ushtarake West Point në Amerikë, ku ajo deklaroi se atje po trajnohen edhe pjesëtarë të FSK-së
“E patë Vjosa Osmanin dje në West Point, ku ushtarët amerikanë brohorisnin për të dhe thërrisnin ‘Kosova, Kosova, Kosova’, gjë që nuk është e këndshme për ne serbët ta shohim. Por mirë, jemi mësuar me shumë gjëra të tilla. Vetëm qetësi, durim dhe qëndrueshmëri”, tha Vuçiq, shkruan Kossev.
Ai theksoi se jo vetëm SHBA-të, por edhe anglezët dhe turqit po trajnojnë pjesëtarë të FSK-së.
“Ata kanë kuadro të mira, të trajnuara, nuk ka dyshim për këtë. Ne i dimë numrat e saktë, por nuk do të flas për këtë tani. Nuk është diçka që mund të kërcënojë Ushtrinë e Serbisë, por që mund të kërcënojë mbijetesën e serbëve në Kosovë, kjo nuk ka asnjë dyshim”, tha ai. /Telegrafi/
The post Vuçiq i shqetësuar nga brohoritjet “Kosova, Kosova” në West Point, e përmend edhe trajnimin e FSK-së first appeared on Radio Televizioni Iliria.