Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë prapa fuqizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke komentuar porosinë e “Javelinëve” amerikanë nga Kosova.
“Ne e dimë që me krejt këto po udhëheq Amerika, këtë po e bëjnë ekspertët e mëdhenj të cilët do të jenë si mendërisht ashtu edhe fizikisht janë tepër të gatshëm. Amerikanët dhe NATO-ja këtë po e bëjnë në mënyrë jashtëzakonisht serioze dhe të përgjegjshme. Ata do të formojnë forca jashtëzakonisht të forta”, ka thënë ai duke folur për FSK-në.
Në një deklaratë për media nga Agjencia e Sigurisë Ushtarake në Beograd, Vuçiqi ka thënë se Serbia do të armatoset “që të parandalojë çfarëdo agresori”. “Të gjithë e kuptojnë se përse sot duhet të kemi ushtri të fortë, sepse pa të nuk do të ekzistonim si shtet”, ka thënë ai.
“Kemi 186 milionë euro në dispozicion dhe do t’i shpenzojmë menjëherë në blerjen e tetë mjeteve ‘Nore’ dhe do t’i blejmë menjëherë”, ka thënë Vuçiqi më tej si kundërpërgjigje ndaj blerjes së anti-tankëve nga Kosova. “Po përgatisim një pako të re prej 150-400 milionë eurosh për pajisje shtesë dhe për armatimin e ushtrisë”, ka thënë Vuçiq. “Për këtë arsye edhe disa iu dhanë ‘Javelinët’ shqiptarëve sepse e dinë se çfarë kemi”, ka vlerësuar Vuçiqi.
I pyetur nëse është në pyetje një përgjigje e drejtpërdrejt për armatosjen e Kosovën apo veç vazhdim i planeve të gjertanishme, Vuçiqi është përgjigjur se “janë plane që po realizohen por edhe se po rishikohen të gjitha faktet dhe të gjitha rrethanat, si dhe se i kujt është qëllimi që Serbia të thyhet, e në përputhje me këtë merren vendimet”.
“Mundësitë tona janë shumë të vogla në krahasim me fuqitë që kujdesen për strukturat jolegale shqiptare, gjithsesi se me ata nuk mund të përballemi as me para, as me armatim, por mund të bëhemi mjaftueshëm të fuqishëm në kundërpërgjigje. Po të mos e kishim ushtrinë Serbia do të ishte harruar”, ka deklaruar Vuçiqi.
Presidenti i Serbisë ka bërë të ditur se shteti i tij është i rrethuar me vendet e NATO-s teksa disa herë ka theksuar se ushtria duhet të forcohet. “Sipas së drejtës ndërkombëtare dhe Rezolutës 1244 të OKB-së forcat e sigurisë të Kosovës nuk do të guxonin të ekzistonin fare”, ka thënë Vuçiqi.
Vuçiqi ka akuzuar Kosovën se ka qëllim t’i eliminojë serbët.
“Ata e kanë FSK-në që nuk do të duhej të ekzistonte, aktualisht kanë bashkërisht me Policinë, 223 automjete të blinduara, të tipit të lehtë, më së shpeshti transporton këmbësorinë”, ka thënë tutje ai. Ai tha se këto janë kryesisht automjete turke, të cilat Kosova i ka marrë, dhe se “ata duan që t’i rrisin në 350, ndërsa i kanë 5.000 ushtarë në FSK e edhe 20.000 në rezervën e parë”.
Ka thënë se Kosova e ka njërin prej buxheteve të luftës me rritjen më të madhe në botë.
Lidhur me deklaratën e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhalal Sveçla për pajisjen e policisë me armë të gjata, Vuçiq mes tjerash ka thënë se i vetmi problem “është që ajo që Kosova po bën, po e bën në mënyrë ilegale, kriminale dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare e Kartën e OKB-së”.
Të enjten, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se ka miratuar kërkesën e Kosovës për blerje të 247 “Javelinëve” për 75 milionë euro dhe se e ka dërguar në Kongres kërkesën për miratim.