RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Vuçiq thotë se nuk do ta nënshkruajë ligjin për martesa mes gjinisë së njëjtë

vuciq-thote-se-nuk-do-ta-nenshkruaje-ligjin-per-martesa-mes-gjinise-se-njejte

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se derisa ai të jetë president nuk do ta nënshkruajë ligjin për martesa mes personave të gjinisë së njëjtë. Sipas tij, nënshkrimi i një ligji të tillë do të krijonte “një lloj gjinie të tretë ku ju nuk jeni as burrë e as grua”.

Duke folur për televizionin Pink më 13 gusht, Vuçiq tha se i ka kërkuar kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, që të mos e nënshkruajë ligjin për martesa mes personave të gjinisë së njëjtë për aq kohë sa ai të jetë president, duke theksuar se “unë kam faj” që një ligj i tillë nuk është proceduar nga Qeveria serbe, raporton Beta.

Ai shtoi se kritikat e Bashkimit Evropian duhet të drejtohen tek ai dhe jo te Bërnabiqi, e cila, sipas Vuçiqit përkrah një ligj të tillë.

Vuçiq tha se Serbia është një shtet me shoqëri tradicionale dhe se atij nuk i prish punë nëse dikush i përket komunitetit LGBT+.

Miratimi i ligjit për martesa mes personave të gjinisë së njëjtë është një prej kërkesave kryesore të komunitetit LGBT+ në Serbi.

Kjo kërkesë është përsëritur në çdo Paradë të Krenarisë të mbajtur në Beograd që nga viti 2017 dhe ligje të ngjashme janë miratuar nga shtetet në rajon, përkatësisht nga Kroacia dhe Mali i Zi.

Debati publik për draft-ligjin për bashkime mes gjinisë së njëjtë përfundoi në mars të vitit 2021. Sipas procedurave, ky draft-ligj duhet të miratohet nga Qeveria dhe më pas nga Kuvendi i Serbisë. Megjithatë, ligji nuk mund të hyjë në fuqi pa nënshkrimin e presidentit të shtetit.

Ligji kundërshtohet nga partitë e krahut të djathtë, Kisha Ortodokse Serbe dhe nga një pjesë e shoqërisë. /rel

Related posts

BE-ja lëshon 2 milionë euro ndihmë pas përmbytjeve shkatërruese në Bangladesh dhe Indi

admin

Seuli: Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike

admin

Presidenti rus foli për armëpushim, reagon Ukraina: Asnjë risi! Putin nuk ka dëshirë të vërtetë për t’i dhënë fund luftës

admin