RTV AHIRETI
KosovëLajmeRajon dhe Botë

Washington Post: Kosova përballë një betejë të re politike dhe historike

washington-post:-kosova-perballe-nje-beteje-te-re-politike-dhe-historike

Ndikim i madh te marrëdhëniet e brishta mes Kosovës dhe Serbisë

Vendimi i Hagës për dënimin e Hashim Thaçit dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së pritet të ketë pasoja përtej fatit juridik të të pandehurve.

Ish-krerët e UÇK-së vazhdojnë të konsiderohen figura qendrore të luftës për çlirimin e Kosovës dhe, sipas “Washington Post”, mund të ndikojë në debatin e brendshëm mbi mënyrën se si vendi e kujton luftën e viteve 1998–1999, ndërsa marrëdhëniet me Serbinë mbeten të tensionuara.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e dënuan Thaçin me 25 vjet burg, pasi e shpallën fajtor për vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar. Ish-presidenti, 58 vjeç, dha dorëheqjen nga posti gati gjashtë vjet më parë për t’u përballur me akuzat dhe i ka mohuar ato.

Sipas “Washington Post”, pesha politike e vendimit lidhet edhe me statusin që Thaçi dhe të bashkëpandehurit e tij kanë në Kosovë. Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë gjithashtu ish-drejtues të UÇK-së dhe, ashtu si Thaçi, kanë mohuar akuzat.

Gjatë fundjavës, mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë në mbështetje të tyre, ndërsa portretet e katër ish-drejtuesve u vendosën në qytet dhe një ekran gjigant numëronte orët deri në shpalljen e verdiktit.

Gazeta amerikane vë në dukje se prokuroria kishte kërkuar deri në 45 vjet burg për secilin prej të pandehurve, duke pretenduar se gjatë luftës ata kishin shënjestruar kundërshtarë politikë dhe civilë të konsideruar si bashkëpunëtorë ose tradhtarë. Të akuzuarit i kanë mohuar këto pretendime.

Një tjetër element që mund ta zgjasë betejën juridike është fakti se çështjet që lidhen me Thaçin nuk përfundojnë me këtë vendim.

Sipas “Washington Post”, ish-presidenti përballet edhe me një proces tjetër për akuza që lidhen me frikësimin e dëshmitarëve, i cili pritet të nisë më vonë gjatë këtij muaji.

Vendimi merr peshë të veçantë edhe për shkak të rolit që Thaçi ka luajtur në historinë e Kosovës. Ai u kthye nga Zvicra për t’iu bashkuar luftës për pavarësi, u bë një nga figurat kryesore politike të UÇK-së dhe mori pjesë në bisedimet e paqes të vitit 1999.

Pas luftës, ai kaloi në politikën institucionale, u bë kryeministër dhe më pas president i Kosovës. “Washington Post” e vendos këtë histori në sfondin e konfliktit që la rreth 13 mijë të vrarë, shumica shqiptarë të Kosovës, ndërsa rreth një milion shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Fushata 78-ditore e bombardimeve të NATO-s i dha fund luftimeve, ndërsa Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia vazhdon të mos e njohë. Në këtë situatë, vendimi i Hagës mund të bëhet një pikë e re përplasjesh mbi interpretimin e luftës dhe trashëgiminë politike të saj.

Reagimet në Prishtinë tregojnë se çështja nuk shihen vetëm si një proces ndaj katër individëve, ndërsa mënyra se si do të zhvillohet beteja juridike dhe politike pas verdiktit do të jetë pjesë e debatit të ardhshëm në Kosovë. tesheshi

Related posts

Sekuestrohen mallra me banderola të Serbisë në vlerë rreth 5000 euro

Muhamet Ramadani

Katër të lënduar në aksidentin mes tri veturave në Gllarevë të Klinës

Muhamet Ramadani

Prishtinë, arrestohen pesë persona, u zunë duke prerë dru në mal

Muhamet Ramadani