Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thënë se SHBA-ja ka propozuar organizimin e një takimi trepalësh me Rusinë dhe Ukrainën në nivel teknik, transmeton Anadolu.
“Sa i përket takimit trepalësh, pala amerikane propozoi përgatitjen dhe zhvillimin e një takimi në nivel teknik në format trepalësh”, u ka thënë Zelenskyy gazetarëve, raportojnë mediat ukrainase, përfshirë agjencinë shtetërore të lajmeve Ukrinform.
Duke theksuar se pala ukrainase aktualisht po pret propozime nga SHBA-ja për datën e një takimi të tillë, Zelenskyy ka thënë se Washingtoni ka sugjeruar Emiratet e Bashkuara Arabe si vend për zhvillimin e bisedimeve.
Emiratet e Bashkuara Arabe pritën dy raunde bisedimesh paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, në Abu Dhabi në fillim të këtij viti, më 23-24 janar dhe 4-5 shkurt.
SHBA-ja nuk i ka komentuar deklaratat ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha sot në një konferencë për media se mundësia e një takimi trepalësh mes përfaqësuesve rusë, ukrainas dhe amerikanë ishte diskutuar gjatë një bisede telefonike mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump në fillim të këtij muaji.
Në bisedën me gazetarët, Zelenskyy ka kujtuar se gjatë takimit të tij me presidentin amerikan në Nju Jork të martën, i kishte kërkuar atij të bisedonte me presidentin kinez Xi Jinping dhe të bënte “gjithçka të mundur” që Xi të ndikonte te Rusia për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ai ka deklaruar se pala amerikane ende nuk i ka dhënë përgjigje Kievit lidhur me këtë çështje, por ka theksuar se Trump i ka thënë se ka marrë “vendimin përfundimtar” për t’i dhënë Ukrainës licenca për prodhimin e raketave për sistemet “Patriot”.
Lidhur me “marrëveshjet për dronë” të nënshkruara nga Ukraina me vende të ndryshme, Zelenskyy ka thënë se këto marrëveshje nuk varen nga fakti nëse një vend është anëtar i NATO-s apo jo, por se faktori kryesor është që ato janë partnerë të Kievit.
“Kur nënshkruajmë një marrëveshje të tillë, ajo nuk përfshin vetëm shitjen e dronëve apo raketave, por edhe shkëmbimin e përvojës. Dhe ajo që po i referoheni është pikërisht pjesë e këtij shkëmbimi – për shembull, kur dërguam specialistët tanë në Lindjen e Mesme ose ndihmuam në mbrojtjen e infrastrukturës kritike”, ka thënë më tej Zelenskyy.
Zelenskyy ka deklaruar se gjatë qëndrimit në Nju Jork ka zhvilluar disa takime, përfshirë me drejtoreshën e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe se Ukraina ka marrë përgjigje konstruktive lidhur me nevojën për të mbuluar deficitin buxhetor prej 27 miliardë dollarësh, pjesa më e madhe e të cilit lidhet me blerjet për mbrojtjen.
“Nëse nuk bëjmë porositë dhe nuk kryejmë pagesat në tetor dhe nëntor, do të përballemi me sfida serioze, veçanërisht në janar dhe shkurt”, ka shtuar Zelenskyy.

