RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Zgjedhjet në Mal të Zi, dalje më e madhe se në rundin e parë

zgjedhjet-ne-mal-te-zi,-dalje-me-e-madhe-se-ne-rundin-e-pare

Mëngjesin e së dielës, 2 prill, janë hapur vendvotimet për rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi. Afro 550 mijë malazezë kanë të drejtë vote deri në mbylljen e qendrave të votimit, në orën 20:00.

Sipas të dhënave të fundit të Qendrës për Tranzicion Demokratik, deri në mesditë kanë votuar 31.1 për qind ose rreth 168.700 qytetarë. Kjo është një rritje e vogël krahasuar me rundin e parë të votimit, ku dalja kishte qenë 29 për qind.

Pasi fituan më së shumti vota në rundin e parë zgjedhor të 19 marsit, kandidatët për pozitën e presidentit për një mandat pesëvjeçar janë Millo Gjukanoviqi dhe Jakov Millatoviq.

Gjukanoviq është udhëheqës i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe president aktual i Malit të Zi. 61-vjeçari ka qenë në krye të politikës malazeze për më shumë se 33 vjet.

Ai ka qenë një aleat kryesor i Perëndimit për kundërshtimin e ndikimit rus. Ai ka këmbëngulur se kjo betejë nuk ka përfunduar pavarësisht anëtarësimit të Malit të Zi në NATO shkaku i politikave të supozuara ekspansioniste të Serbisë dhe ndikimit të Rusisë.

Ndërsa, Jakov Millatoviq, është kandidati i Lëvizjes Evropa Tani, parti e themeluar në qershor të vitit të kaluar. 37-vjeçari ka hyrë në politikë që më pak se tre vjet.

Ai ka thënë se dëshiron që Mali i Zi të anëtarësohet në BE, megjithëse disa nga partitë që e kanë mbështetur kandidaturën e tij janë pro-ruse.

Të drejtën për të votuar për njërin prej tyre e kanë 542.154 qytetarë. Më së shumti votues ka në Podgoricë, gjithsej 143.609, ndërsa më së paku ka në qytetin në veri të vendit, në Shavnik, ku janë të regjistruar vetëm 1.777 votues.

Fituesi në rundin e dytë zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale do të jetë kandidati që do të fitojë numrin më të madh të votave nga zgjedhësit. Mandati i presidentit zgjat pesë vjet.

Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale që nga ripërtëritja e pavarësisë së Malit të Zi dhe të shtatat që nga futja e sistemit shumë-partiak.

Rregullsia e procesit zgjedhor do të monitorohet nga misionet vëzhguese të ODIHR-it, deputetët evropian dhe Këshilli i Evropës, si dhe nga organizatat joqeveritare Qendra për Monitorim dhe Qendra për Tranzicionin Demokratik.

Related posts

Shefi i OKB-së thirrje për uljen e tensioneve në Irak

admin

Fidaim ef. FAZLIU – Islami dhe muslimanët

admin

Kurti flet për takimin e 18 marsit: ​Plani i zbatimit duhet të përmbajë detaje konkrete

rezart morina