Kryebashkiaku i Nju Jorkut: Demokracia nuk funksionon, nëse njerëzit nuk kanë mundësi të përballojnë nevojat bazë
Tetë muaj pasi u bë kryebashkiaku i parë musliman i Nju Jorkut, Zohran Mamdani vazhdon të këmbëngulë se është e mundur një mënyrë tjetër e të bërit politikë. Në një qytet me 8.5 milionë banorë, 34-vjeçari e përkufizon politikën përmes një parimi të thjeshtë: ajo duhet të përmirësojë jetën e njerëzve që punojnë.
Rritja e tij politike ka qenë e jashtëzakonshme. Nga një deputet pak i njohur i Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut, Mamdani u shndërrua në kryebashkiakun e parë socialist të kryeqytetit financiar të kapitalizmit botëror.
I lindur në Kampala të Ugandës në vitin 1991, në një familje me origjinë indiane, ai u zhvendos në SHBA në vitin 1999 dhe u bë shtetas amerikan në moshën 26-vjeçare.
Mamdani nuk e fsheh identitetin e tij politik. Ai e quan veten socialist, por thotë se shumica e njujorkezëve nuk janë aq të interesuar se si e përkufizon ai politikën, sa për pyetjen nëse ka vend për ta brenda saj.
Në qendër të programit të tij është kostoja e jetesës. Një nga sukseset kryesore të muajve të parë në detyrë ka qenë ngrirja e qirave për afro një milion apartamente me qira të kontrolluar, ku jetojnë më shumë se dy milionë njujorkezë.
Ai ka avancuar gjithashtu idetë për kujdes universal për fëmijët, transport publik më të shpejtë dhe një rrjet dyqanesh me ushqime më të lira. Për Mamdanin, këto nuk janë thjesht politika sociale. Ato lidhen drejtpërdrejt me vetë funksionimin e demokracisë.
“Demokracia nuk vdiq sepse njerëzit u lodhën nga ajo si ideal. Vdiq sepse njerëzit u lodhën duke mos pasur mundësi të ushqenin familjet e tyre”, thotë ai, duke iu referuar mendimit të kryebashkiakut të Nju Jorkut Fiorello La Guardia dhe presidentit Franklin D. Roosevelt.
Sipas tij, demokracia nuk mund të jetë vetëm një vlerë abstrakte nëse njerëzit nuk arrijnë të përballojnë nevojat e tyre bazë. “Shumë njerëz punojnë në Nju Jork dhe megjithatë nuk mund të përballojnë të jetojnë këtu. Për mua, kjo është po aq kërcënuese për demokracinë sa çdo gjë tjetër që diskutojmë në këtë vend, sepse demokracia duhet të ketë kuptim për njerëzit që punojnë”, argumenton ai.
Një tjetër temë qendrore është emigracioni. Mamdani ka kundërshtuar ashpër politikat e administratës Trump dhe veprimtarinë e ICE, duke argumentuar se frika nga kontrollet dhe dëbimet ka prekur jo vetëm emigrantët pa dokumente, por komunitete të tëra.
Ai këmbëngul se Nju Jorku duhet të mbetet “një qytet emigrantësh, i ndërtuar nga emigrantët dhe i fuqizuar prej tyre”. Fryma e Mamdanit po shtrihet edhe përtej Nju Jorkut.
Kandidatë të rinj të frymëzuar prej tij kanë fituar primaret demokrate në disa zona të vendit, duke ushqyer atë që tashmë quhet “efekti Mamdani”. Shumë prej tyre mbështeten te fushatat bazë, aktivizmi në komunitet dhe mobilizimi i votuesve të rinj.
Mamdani e sheh këtë si një sinjal për të ardhmen e Partisë Demokratike. Sipas tij, zgjedhjet e vitit 2028 duhet të pasqyrojnë një kërkesë në rritje për një politikë që vendos njerëzit që punojnë në qendër.
“Ne nuk duhet vetëm të kundërshtojmë këtë administratë aty ku nuk biem dakord. Duhet të përfaqësojmë diçka. Dhe mendoj se përgjigjja janë njerëzit që punojnë”, thotë ai. tesheshi.com

