Zonja e Parë e Turqisë, Emine Erdoğan, tha se luftërat dhe fatkeqësitë natyrore shkaktojnë pasoja traumatike që lënë gjurmë të përhershme në shpirtin njerëzor, raporton Anadolu.
“Pasojat e luftës në shëndetin mendor dhe dimensionin e tij social shpesh neglizhohen. Sidomos faktet si luftërat dhe fatkeqësitë natyrore që zhvillohen jashtë kontrollit të individëve, kanë pasoja traumatike te njerëzit, duke lënë gjurmë të përhershme në shpirtin njerëzor”, tha zonja Erdoğan në një video-mesazh në Samitin e tretë të Zonjave dhe Zotërinjve të Parë të mbajtur në Kiev.
Zonja e Parë tha se ukrainasit vazhdojnë të përjetojnë pasojat shkatërruese të luftës, me pushtimin e Krimesë në 2014 dhe luftën ruse kundër Ukrainës që filloi shkurtin e vitit të kaluar.
“Më shumë se tetë milionë ukrainas duhej të largoheshin nga atdheu i tyre dhe të kërkonin strehim në vende të ndryshme për t’i shpëtuar vdekjes dhe shkatërrimit. Edhe pse mbi pesë milionë ukrainas janë kthyer në vendin e tyre, familjet janë copëtuar dhe tragjedi të mëdha kanë pasuar”, theksoi ajo.
Luftërat jo vetëm që shkatërrojnë njerëzimin, por edhe trashëgiminë e tij të përbashkët si qytetet dhe qytetërimet, tha zonja Erdoğan, duke shtuar: “Ndalimi i luftës në Ukrainë, si në të gjitha zonat e konfliktit, duhet të jetë përgjegjësia jonë e përbashkët”.
Ajo tha gjithashtu se gratë dhe fëmijët janë grupet më të prekura nga konflikti.
Zonja e Parë e Turqisë ka bërë përpjekje që nga fillimi i luftës në Ukrainë për të reduktuar shkatërrimin dhe për t’i dhënë fund luftës me një “paqe të drejtë” sa më shpejt të jetë e mundur.
Zonja Erdoğan tha se rreth 1.200 fëmijë, duke përfshirë fëmijë me nevoja të veçanta, u sollën në Turqi pas fillimit të luftës me iniciativat e zonjës së parë ukrainase Olena Zelenska.
Duke theksuar se në çdo takim me zonjën Zelenska, ata diskutuan projekte bashkëpunimi, veçanërisht për grupet e ndjeshme për të shëruar plagët e Ukrainës, zonja Erdoğan tha se qëllimi i tyre i parë do të jetë sigurimi i bashkimit familjar.
“Si gjithmonë, rindërtimi i Ukrainës në të gjitha fushat do të jetë një nga çështjet tona prioritare në periudhën e ardhshme”, shtoi ajo.
Samiti i Zonjave dhe Zotërinjve të Parë është një shoqatë ndërkombëtare e bashkëshortëve të liderëve botërorë, e themeluar nga Zelenska në vitin 2021 për të shkëmbyer përvoja dhe për të zbatuar projekte të përbashkëta për mirëqenien e njerëzve në mbarë botën.
Gjatë samitit, pjesëmarrësit diskutuan se si shëndeti mendor është pjesë e pandashme e mirëqenies njerëzore.
Ukrayna’da gerçekleştirilen “Savaşın Ruh Sağlığı Üzerindeki Etkisi” Temalı 3’üncü Lider Eşleri Zirvesi’ne video mesaj ile katıldım.
Ateş her ne kadar düştüğü yeri yaksa da savaş ülke sınırı tanımıyor.
İnsan zihni ve ruhu üzerinde ömür boyu geçmeyecek bir tahribata sebep oluyor.… pic.twitter.com/rAnWkTh9bT
— Emine Erdoğan (@EmineErdogan) September 6, 2023