Zvicra ka pezulluar importet e mishit dhe produkteve të mishit nga Brazili për shkak të shqetësimeve lidhur me përmbushjen e rregullave që synojnë reduktimin e përdorimit të antibiotikëve në blegtori, konfirmuan të hënën autoritetet, transmeton Anadolu.
Ndalimi është në fuqi që nga 3 shtatori, konfirmoi Zyra Federale për Sigurinë Ushqimore dhe Çështjet Veterinare (BLV) për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA.
“Brazili ende nuk ka ofruar garanci të mjaftueshme se produktet e tij janë në përputhje me rregulloret për përdorimin e antibiotikëve në blegtori”, tha zyra.
Vendet që eksportojnë produkte me origjinë shtazore në Zvicër ose BE duhet të dëshmojnë se respektojnë rregulloret e hartuara për reduktimin e përdorimit të antibiotikëve në blegtori dhe për të ndihmuar në parandalimin e rezistencës antimikrobike.
Zvicra ka miratuar kufizimet e BE-së për importet, pasi vendi dhe blloku formojnë një zonë të përbashkët veterinare në kuadër të marrëveshjes së tyre bujqësore, që do të thotë se Zvicra zbaton të njëjtat kushte importi për produktet me origjinë shtazore nga vendet jashtë BE-së.
Komisioni Evropian pezulloi importet e mishit nga Brazili në fillim të shtatorit, pasi Brazili nuk arriti të ofronte garanci të mjaftueshme se produktet e tij përmbushnin standardet e BE-së për përdorimin e antibiotikëve.
Importet e mishit brazilian kanë qenë gjithashtu pikë mosmarrëveshjeje lidhur me marrëveshjen tregtare të BE-së me bllokun Mercosur, ku bëjnë pjesë Brazili, Argjentina, Paraguai dhe Uruguai.
Autoritetet zvicerane thanë se importet mund të rifillojnë nëse një rishikim në vazhdim nga BE-ja jep rezultat pozitiv dhe shtetet anëtare miratojnë rifillimin e eksporteve braziliane.

