Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka theksuar se Izraeli duhet “të ndalojë” sulmet e tij në Gaza dhe ka bërë thirrje për një armëpushim, veçanërisht nëse po i shtyn operacionet e tij në jug të Gazës.
I pyetur nga Anadolu, zëdhënës i zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, Jeremy Laurance, tha se e drejta ndërkombëtare humanitare duhet të jetë para së gjithash.
“Kështu që, mbrojtja e civilëve, pronave të tyre, mjeteve të tyre të jetesës, gjithçka duhet të jetë e para. Nëse ata tani po drejtohen në jug të Gazës, thirrja përfundimtare është që kjo të ndalet. Armëpushimi duhet të ndodhë”, tha Laurance, duke e quajtur “çmenduri” numrin aktual të vdekjeve në dhjetëra mijëra.
Laurance theksoi se “ka vetëm një zgjidhje, armëpushimi”.
Ai tha se një zgjerim i operacioneve ushtarake të Izraelit në jug të Gazës do të përkeqësonte rrezikun, pasi ajo tashmë ka një popullsi të dendur për shkak të evakuimit nga veriu në jug që Izraeli urdhëroi muajin e kaluar.
“Mbrojtja e civilëve është parësore”, shtoi ai.
Që kur Izraeli filloi bombardimet në Gaza më 7 tetor, janë vrarë të paktën 11.500 palestinezë, përfshirë mbi 7.800 gra dhe fëmijë, si dhe janë plagosur më shumë se 29.200 të tjerë.
Gjithashtu mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar.
Bllokada izraelite ka ndërprerë Gazën edhe nga furnizimet me karburant, energji elektrike dhe ujë, si dhe ka reduktuar dërgesat e ndihmave në një rrjedhë të vogël.
Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelite është rreth 1.200.