Gjykata Speciale me seli në Hagë ka caktuar një gjyqtar të veçantë që do të merret me mbikqyrjen e zbatimit të dëmshpërblimit nga Salih Mustafa. Ky i fundit, në verdiktin e shkallës së dytë ishte dënuar me 22 vjet heqje lirie si dhe 200 mijë euro dëmshpërblim që do të duhet t’ua paguante viktimave të pretenduara të rastit.
Gjithësej 207 mijë euro është shuma që Salih Mustafa do të duhet t’ua paguajë tetë personave që konsiderohen viktima të tij, e të cilët kanë dëshmuar përgjatë procedurës, shkruan lajmi.net.
Mustafa është obliguar që t’i paguaj 30 mijë euro viktimës së pretenduar me pseudonimin v08/05.
80 mijë euro do të duhet t’ia paguajë viktimës së pretenduar me pseudonimin v/09/05.
60 mijë euro viktimës së pretenduar V10/05.
Nga 10 mijë viktimave V05/05, V06/05, V12/05.
5 mijë euro viktimës V11/05 si dhe 2 mijë euro viktimës V13/05.
Sidoqoftë, avokatët e Salih Mustafës në Hagë, në një shkresë të cilën e ka parë lajmi.net, kanë kërkuar që gjykata të mos lëshojë ndonjë afat kohor brenda të cilit klienti i tyre do të duhet të paguaj dëmshpërblimin.
Kjo për shkakun se ata kanë bërë me dije se do të kërkojnë sërish vlerësimin e ligjshmërisë të dënimit ndaj “Calit”.
Njëra nga avokatet e ish-komandantit nga zona e Llapit, thotë se nëse eventualisht ndonjë shkallë tjetër vendos për uljen e kësaj shume prej 207 mijë eurove, dhe në të njëjtën kohë nëse kjo shumë veç është paguar nga Mustafa, nuk ka mekanizëm që e rregullon këtë punë.
“Për arsyet e parashtruara më lart, Mbrojtja me respekt kërkon nga gjyqtari i vetëm që të ndalojë përkohësisht caktimin e një afati brenda të cilit z. Mustafa kërkohet të paguajë çdo shumë për viktimat në përputhje me Urdhrin për dëmshpërblim deri më vonë: a) shtatë ditë pas skadimit të çfarëdo afati, të përcaktuar nga Kolegji i Gjykatës Supreme, për paraqitjen e ndonjë kërkese për mbrojtjen e ligjshmërisë me kusht që të mos jetë paraqitur një kërkesë e tillë nga Mbrojtja; ose b) shtatë ditë pas përcaktimit përfundimtar nga Kolegji i Gjykatës Supreme të çdo kërkese për mbrojtjen e ligjshmërisë të paraqitur nga Mbrojtja”, thuhet në shkresën e avokatëve të “Calit”.