Në konferencën përgatitore të prokurorisë në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, u bë e ditur se Prokuroria do të thërrasë 312 dëshmitarë, derisa trupi gjykues sërish shprehi shqetësimin lidhur me kohën prej 700 orësh për paraqitjen e rastit të Prokurorisë.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith II tha se që nga konferenca e dhjetorit kanë kërkuar ngushtimin e kohës për paraqitjen e rastit të ZPS-së dhe se kanë shprehur mendimin se 700 orë për dëgjimin e dëshmitarëve është kohë e gjatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, ai tha se me sa duket Prokuroria ka ndërmend të paraqes prova për çdo viktimë të pretenduar dhe çdo vend krimi dhe se pa minimizuar natyrën e rëndë të këtyre pretendimeve, gjykata vëren se strategjia e paraqitjes së provave për çdo vend krimi mund të marrë shumë kohë dhe jo domosdoshmërisht ka peshë.
“Çdo përpjekje e ZPS për të qenë shteruese do të kalojë kufirin kohor që kemi caktuar për paraqitjen e provave. Ne e lusim Prokurorinë që të vazhdojë me rishikimin e këtyre vendeve të krimit në mënyrë që të bëhet zvogëlimi i numrit të tyre dhe sa i përket strukturës së çështjes se ZPS nuk është e domosdoshme që për shembull provat lidhur me zinxhirin komandues të UÇK-së duhet të paraqiten në mënyrë të strukturuar, koherente dhe logjike. E kemi kërkuar këtë nga ZPS, por nuk kemi pasur shumë sukses dhe më tej kërkojmë qasje të tillë prej Prokurorisë”, tha ai.
Sipas tij, paneli vazhdon të jetë i shqetësuar dhe do të mbetet i shqetësuar gjatë gjithë këtij gjykimi.
“Kur një dëshmitar thirret nga ZPS për të dhënë dëshmi për zinxhirin strukturor të UÇK-së, do të kërkohet nga ZPS të përgatit tabela dhe materiale vizuele që do të ndihmojnë trupin gjykues dhe palët. ZPS duhet të marrë parasysh hartat dhe materialet tjera për të ndihmuar për vendet fizike ku pretendohet se ka ndodhur krimi, këto duhet t’i japë te trupi gjykues dhe palët tjera më së voni 24 orë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit”, tha gjykatësi.
Prokurori Matthew Howling deklaroi se janë në gjendje të paraqesin materiale të tilla.
Nga Prokuroria, u tha se ka 12 dëshmitarë më pak se nga parashtrimi i fundit, e që tani janë 312 dëshmitarë. Po ashtu, u bë e ditur se do të vazhdojnë me përditësimin e listës së dëshmitarëve dhe do të shohin nëse është e nevojshme të largohen edhe dëshmitarë të tjera.
Lidhur me një kërkesë që ka të bëjë me ndryshimin e masave mbrojtëse për dy dëshmitarë, gjykatësi pyeti nëse po thonë se nëse nuk miratohet kjo kërkesë për ndryshim të masave mbrojtëse dy dëshmitarët nuk janë të gatshëm të dëshmojnë.
Prokurori Howling tha se ajo çka kanë thënë është se nëse nuk ndryshohen masat mbrojtëse, ata do të kërkojnë të dëshmojnë në formë të shkruar.
Lidhur me krimet, u tha se Prokuroria nuk mund të japë një numër të saktë për dëshmitarët lidhur me krimet.
“Kemi 188 dëshmitarë për dëshmitarë lidhur me krimet”, u tha nga prokuroria, ndërsa lidhur me strukturën e UÇK-së tha se kanë 100 dëshmitarë, për elementet penale u deklarua se kanë 37 dëshmitarë, derisa për sjelljen e të akuzuarve 68 dëshmitarë.
“Nëse mbledhim këto shifra dalin më shumë se 312 dëshmitarë dhe siç e dini disa dëshmi mund të dalin përputhëse, përsëritëse”, u tha nga prokuroria, derisa tha se kanë paraqitur parashtrim për zvogëlimin e orëve të çështjes së tyre dhe ka të bëjë lidhur me dëshmitarët e rregullës 154, ku dëshmitë e mëparshme nëse pranohen nga gjykata, do të paraqesin bazë për dëshminë e tyre që do japin.
Sa i përket listës së 12 dëshmitarëve të parë, u tha se është radhitja e tyre në bazë të radhës kur ata do të japin dëshmi.
Sa i përket numrin të vendeve të krimit, gjykatësi ka pyetur nëse ka ndërmend ZPS të zvogëlojë akuzat apo kuadrin kohor, derisa Prokuroria tha se nuk e kanë ndërmend të bëjnë këtë.
“Ne vazhdojmë të shikojmë provat që kemi, mirëpo të njëjtën kohë kemi edhe parasysh kohën e gjykatës”, u tha nga Prokuroria, kurse u tha po ashtu se kanë ndërmend të paraqesin prova për çdo vend krimi në aktakuzë.
Kurse, u tha se do të përmenden gjatë çështjes së Prokurorisë 42 vende krimi, në 17 komuna të ndryshme në lidhje me ndalimin. Sa i përket pikave 8 dhe 9 të aktakuzës, ajo tha se lista B përmend vende në 15 komuna të ndryshme dhe në atë paragraf ka të bëjë me vrasjen dhe tërheqjen nga vendimi i krimit në pritje të ofensivës së forcave serbe.