RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Investigimi/Si Rusia po kontrabandon në Izrael miliona ton grurë të vjedhur nga Ukraina

investigimi/si-rusia-po-kontrabandon-ne-izrael-miliona-ton-grure-te-vjedhur-nga-ukraina

Haaretz: Operacionet klandestine në Detin e Zi po financojnë makinën e luftës së Kremlinit përmes tregut izraelit.

Një investigim i thelluar i publikuar këtë javë ka hedhur dritë mbi një skemë komplekse kontrabande, përmes së cilës Rusia po shet në Izrael drithëra të vjedhura nga territoret e pushtuara të Ukrainës.

Sipas të dhënave, fitimet nga ky operacion klandestin po përdoren drejtpërdrejt për të financuar makinën e luftës të Vladimir Putinit. Siç raporton Haaretz, anija e mallrave “Abinsk”, e cila lundron nën flamurin rus, u ankorua së fundmi në portin e Haifës e ngarkuar me grurë me vlerë miliona dollarë.

Ndonëse në dukje një anije normale, qeveria e Kievit kishte paralajmëruar zyrtarisht autoritetet izraelite se ngarkesa ishte vjedhur nga territoret e pushtuara. Megjithatë, pavarësisht alarmit të dhënë, anija u lejua të shkarkonte mallin në tregun vendas.

Hetimi gazetaresk zbulon se ky nuk është një rast i izoluar, por një prirje në rritje. Për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare, Rusia ka zhvilluar një protokoll të sofistikuar maskimi.

Anijet nuk ngarkohen në porte ruse, por përdorin operacionet “anije-me-anije” (STS) në det të hapur, pranë Ngushticës së Kerçit.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Haaretz, anijet transportuese fikun transponderët e tyre (sistemin AIS) për t’u bërë të padukshme nga sistemet e gjurmimit ndërsa marrin grurin nga hambarët lundruese apo anijet më të vogla që vijnë direkt nga Krimea e pushtuar.

Pasi përfundon ngarkimi, ato ndezin sërish radiot dhe raportojnë destinacionin drejt Izraelit, duke paraqitur dokumente të rreme sikur gruri e ka origjinën nga Siberia. Një rast tjetër flagrant i dokumentuar nga imazhet satelitore është ai i anijes “St.Olga”.

Në korrik të vitit 2023, kjo anije shkarkoi 27.000 ton grurë në portin e Ashdodit. Investigimi i Haaretz vërtetoi përmes të dhënave të gjurmimit se “St.Olga” kishte marrë ngarkesën në det të hapur nga anija ruse “Matros Pozynich”, e cila ishte fotografuar nga satelitët duke u ngarkuar në terminalin Avlita në Sevastopol të Krimesë.

Ukraina ka shprehur pakënaqësi të thellë për këtë situatë. “Është e papranueshme që Izraeli të lejojë importin e mallrave të vjedhura”- deklaroi qeveria e Kievit, duke theksuar se të paktën 15 milionë ton grurë janë grabitur nga fermat ukrainase që nga fillimi i pushtimit.

Nga ana tjetër, blerësit izraelitë mbrohen duke thënë se është e pamundur të verifikohet origjina e saktë e produktit kur dokumentacioni rus duket i rregullt. Megjithatë, siç vëren Haaretz, regjistrat e brendshëm rusë listojnë mbi 30 dërgesa të tilla me destinacion final Izraelin, duke konfirmuar se tregtarët rusë janë “të kënaqur me sekretin e procesit”.

Deri më tani, Ministria e Jashtme izraelite ka dhënë një përgjigje evazive, duke pohuar vetëm se komunikimet me palën ukrainase po vazhdojnë përmes kanaleve diplomatike. Ndërkohë, një tjetër anije e dyshimtë raportohet se ka mbërritur në Gjirin e Haifës këtë të diel, duke pritur radhën për të shkarkuar “arin e zi” të vjedhur nga fushat e Ukrainës. /tesheshi.com/

Related posts

Franca u bën thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet në Izrael, Kuds dhe Bregun Perëndimor

Muhamet Ramadani

Kolonët iz’raelitë dj’egin një ullishte në Bregun Perëndimor

admin

Sekuestrohen 10 mijë doza ekstazi në Tiranë, arrestohen pesë persona, mes tyre dy shtetas nga Kosova

Muhamet Ramadani