Rasti i një nëne me kancer në qafën e mitrës pas një shtatzanie
Gjashtë muaj pasi lindi fëmijën e saj të parë, pas një beteje të gjatë për të mbetur shtatzënë, Chrissy Walters u përball me një diagnozë që i ndryshoi jetën.
Pas gjakderdhjes së madhe dhe një sërë testesh, nëna atëherë 39-vjeçare nga qyteti australian i Toowoomba-s u diagnostikua me kancer të avancuar të qafës së mitrës. Sot, më shumë se një dekadë më vonë, sëmundja është përhapur dhe mjekët i kanë thënë se gjendja e saj është terminale.
“I thashë burrit tim se duhet të ketë qenë një gabim“, kujton Walters, e cila i është nënshtruar terapive të shumta të rraskapitshme dhe invazive. Vajza e saj, tani dymbëdhjetë vjeç, u rrit me sëmundjen e nënës së saj dhe bisedat për vdekjen e saj filluan kur ajo ishte shumë e vogël.
Megjithatë, pikërisht në vitin që vajza e saj po merr vaksinën kundër papillomavirusit njerëzor (HPV), Australia është një hap larg një suksesi historik – eliminimit të kancerit të qafës së mitrës si një problem i shëndetit publik.
Australia ishte ndër vendet e para në botë që prezantoi një program kombëtar vaksinimi kundër HPV-së, në vitin 2007, menjëherë pasi u zhvillua vaksina Gardasil. Kjo vaksinë mbron nga virusi që mund të shkaktojë kancerin e qafës së mitrës – kanceri i katërt më i zakonshëm tek gratë në botë.
Programi i vaksinimit u zgjerua tek djemtë në vitin 2013, duke zvogëluar më tej përhapjen e virusit. Sot, më shumë se 80 përqind e vajzave nën moshën 15 vjeç marrin vaksinën.
Përveç kësaj, Australia ka një nga sistemet më të përparuara të zbulimit të hershëm. Që nga viti 2017, është përdorur një test më i ndjeshëm për HPV në vend të Pap testit klasik, i cili bëhet çdo pesë vjet. Grave u lejohet gjithashtu të marrin vetë një mostër, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për ato që shmangin ekzaminimet ose kanë vështirësi në aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore.
Sipas të dhënave, Australia mund ta eliminojë kancerin e qafës së mitrës deri në vitin 2035, ose edhe më herët. Eliminimi në këtë kontekst do të thotë zvogëlimi i numrit të rasteve në më pak se katër për 100,000 gra, sipas BBC. /tesheshi

