RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Muja shpalos pagesat direkte për subvencione

muja-shpalos-pagesat-direkte-per-subvencione

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në detyrë, Armend Muja, ka njoftuar se janë nënshkruar orientimet indikative të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2026, të strukturuara sipas sektorëve strategjikë të bujqësisë dhe në përputhje me metodologjinë e Bashkimit Evropian.

Sipas njoftimit, programi përfshin kombinimin e pagesës bazë, mbështetjes së lidhur me prodhimin, masave për stabilizimin e tregut, pagesës rishpërndarëse për hektarin e parë dhe eko-skema, me qëllim rritjen e prodhimit vendor, forcimin e sigurisë ushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural.

Në sektorin e drithërave, mbështetja për grurin arrin deri në rreth 433 €/ha, ndërsa për misrin deri në 329 €/ha. Për kulturat si elbi, tërshëra dhe thekra, mbështetja standarde është 304 €/ha. Ndërkohë, për kultura të caktuara si fasulja dhe patatja, subvencionet mund të arrijnë deri në 754 €/ha.

Në sektorin e perimeve, mbështetja për prodhimin në fushë të hapur arrin në 704 €/ha, ndërsa për serrat deri në 1,054 €/ha, duke reflektuar nivelin më të lartë të investimeve dhe produktivitetit.

Edhe pemëtaria dhe vreshtaria përfitojnë mbështetje të konsiderueshme, ku për vreshtat parashihen deri në 1,104 €/ha, ndërsa për pemëtarinë deri në 654 €/ha. Kultivuesit e mjedrës do të subvencionohen me 0.20 €/kg, si dhe mbështetje shtesë për sipërfaqe.

Në blegtori, mbështetja përfshin 90 €/kokë për lopët qumështore, 30 €/kokë për delet dhe dhitë, si dhe subvencione për sektorë të tjerë si shpezëtaria, derrtaria dhe bletaria.

Programi gjithashtu parasheh mbështetje për cilësinë e qumështit, ku pagesat variojnë nga 0.02 deri në 0.07 €/litër, në varësi të klasës.

Nga Ministria bëhet e ditur se këto orientime janë indikative dhe mund të pësojnë ndryshime gjatë procesit të konsultimeve dhe finalizimit të programit, në varësi të prioriteteve dhe numrit të aplikuesve. /teve1

Related posts

Djali e rrah babanë, dërgohet në mbajtje

Muhamet Ramadani

Kurti: Objekti i ri i ATK-së në veri do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve

admin

Putini përgatit ofensivën për pushtimin e Kievit

admin